PROJEKT I RI SPORTIV
Nis kampionati evropian
4 August, 2018 @9:00
Për herë të parë, ndoshta në tentim për të konkurruar Lojërat Evropiane, këtë gusht organizohet Kampionati Evropian i ‘centralizuar’. Është ky një projekt i ri që sivjet organizohet në dy qytete – Glasgow dhe Berlin.
Këto dy qendra do të jenë mikpritëse të kampionatit evropian në atletikë, sporte ujore (not, not i sinkronizuar, not i hapur, zhytje), lundrim, gjimnastikë, çiklizëm (rrugor, velodrom, BMX, Mountain-Bike), golf, dhe triatlon. Nga këto shtatë sporte, gjashtë prej tyre janë në Glasgow, me atletikën të zhvendosur në Berlin. E në mesin e 4000 sportistëve, Kosova do të përfaqësohet në not dhe atletikë.
Në garat e notit Kosovën e përfaqësojnë katër garues – Fjorda Shabani e Eda Zeqiri tek femrat, dhe Dren Ukimeraj e Dion Kadriu tek meshkujt. Që të katër do të marrin pjesë në disa disiplinë, me qëllimin kryesor përmirësimin e rekordeve personale.
Fjorda Shabani garon në 50m lirë, 100m lirë, 50m shpinë, 100m shpinë, 200m shpinë; Eda Zeqiri në 50m lirë, 50m shpinë, 100m shpinë; Dren Ukimeraj në 50m shpinë, 50m lirë, 100m lirë, 200m lirë, 100m shpinë; dhe Dion Kadriu në 100m lirë, 200m lirë, 100m flutur.
Në atletikë janë vetëm Musa Hajdari dhe Gresa Bakrraqi. Të dy marrin pjesë në garën vrapim në distancë 800m. Kampionati ka nisur dje.