NFL: PARASHIKIME
Drejt finales së madhe
Shkruan: LUAN MORINA
21 January, 2018 @13:29
Tom Brady nuk ka stërvitur deri të enjten. Të premten në konferencë për media ka pasur dorëz dhe nuk është përgjigjur në pyetjet lidhur me lëndimin e dorës! Kjo e bën të dyshimtë paraqitjen e tij në finalen e AFC të dielën mbrëma. Dhe çfarë rëndësie ka kjo?
Pas mosmarrëveshjeve të brendshme tek Patriots ndërmjet Bellichikut dhe Bradyt, kishte nisur një krahasim në lidhje me rëndësinë e këtyre dyve për Patriots dhe sukseset e arritura dy dekadat e fundit. Është një pyetje e pabazë, pasi për mendimin tim, Bellichik është truri pas krejt sukseseve dhe titujve të Patriots. Në rregull, dy tituj vinë nga gabimet e Pete Carroll dhe pjesës së dytë të Falcons vitin e kaluar, por që të dy trajnerët kanë rënë pre e tentimit për tu dukur të mençur karshi Bellichikut.
Kundër Jaguars të dielën, Patriots do të duhej të fitonin edhe pa Bradyn. Do të mjafton Gronkowski, dhe loja depërtuese. Por, mbi të gjitha barra kryesore do të bie mbi mbrojtjen e Patriots. Duhet të ndalin Fournette dhe Bortles. Mbrojtja e tyre është në nivel të duhur, dhe kur shohim një dallim me Jaguarsin e dekadës së fundit kur për pjesën më të madhe konkurronin Browns-ët e sotit, dhe mundësisë që të jenë ekipi i parë nga AFC Jugu që arrin në Superbowl, atëherë duhet të vlerësojmë punën e shkëlqyeshme të menaxhmentit që kanë bërë në këtë drejtim. Dy fitore ndaj Steelers dhe 45 pikë si mysafirë nuk janë befasi.
Por, në ‘Gillette Stadium’ nuk është Mike Tomlin. Mund të ketë një shkatërrim siç u kishte ndodhur Colts-ave të mi para tri viteve!
Ndërkohë në NFC, mungesa e dy kuarterbekëve kryesorë s’do të duhej të ishte problem për një paraqitje të shkëlqyeshme si të Eagles ashtu edhe të Vikings. Lëndim i Wentz ka qenë hendikep për Eagles, të cilët në Nick Foles kanë një rezervë të mirë, por ndoshta ende të papërgatitur mirë. Shumica e pasimeve të tij javën e kaluar shkonin më lartë se pranuesit. Ajayi ka qenë vjedhje në marrëveshjen që kanë bërë me Miamin. Do të jetë faktori kryesor në ndeshjen e të dielës vonë në mbrëmje.
Tek Minnesotta, Sam Bradford ishte rrugës për sezonin më të mirë në ligë, për të dëshmuar më në fund aftësitë e tija. Lëndimi solli Case Keenum në pzotiën e kuarterbekut startues i cili arriti ti mbaj në formë organizatorët e Superbowlit të sivjetmë. Do të ishte një ndjenjë e veçantë që të luanin finalen para fansave të tyre. S’do të ishte aspak mirë të mposhteshin si vendas, nga Jaguars. Por, Patriots do të jenë në finale dhe do të mbrojnë titullin për të përfunduar një dinasti të mbushur me suksese, njashtu edhe me peripeci.
E diel, 21 janar 2018
21:05 New England Patriots – Jacksonville Jaguars
0:40 Philadelphia Eagles – Minnesota Vikings