ANKESA
Peja kërkon fitore në tavolinë ndaj Bashkimit
13 March, 2017 @17:35
Skuadra e Pejës megjithëse u mposht në parket nga skuadra e Bashkimit, nuk është dorëzuar akoma.
Verdhezinjtë kërkojnë fitore në tavolinë, pasi që sipas tyre ka pasur parregullsi në këtë ndeshje, shkruan sot e përditshmja “Koha Ditore”.
Ndeshja ndërmjet Bashkimit dhe Pejës ka qenë në kuadër të xhiros së shtatë dhe ka qenë e paraparë të zhvillohet në datat 12/13 nëntor të vitit 2016, por për shkak të angazhimeve të skuadrës së Pejës në garat e FIBA Europe Cup, ajo është shtyer.
Kjo ndeshje është shtyer për katër muaj dhe është zhvilluar më 11 mars 2017, ku fitore pati shënuar Bashkimi me rezultat 78-77.
Për shkak se ndeshja ishte paraparë të zhvillohet në muajin nëntor, skuadrat në këtë ndeshje nuk kanë pasur të drejtë të aktivizojnë lojtarët që janë transferuar më pas, kështu që edhe Bashkimi edhe Peja patën mungesa të shumta.
Por që, sipas Pejës, Bashkimi ka shkelur rregulloren, pasi që e ka aktivizuar në këtë ndeshje qendrën Gazmend Sinani.
Rasti i Sinanit, i dyshimtë
Sinani ishte larguar nga Bashkimi kah gjysma e dytë e muajit tetor dhe rrjedhimisht nuk do të mund të luante kundër Pejës po qe se kjo ndeshje do të luhej në nëntor, pasi që në atë kohë ishte në Turqi me skuadrën Ormanspor.
Por, basketbollisti në fjalë është rikthyer te Bashkimi në pjesën e dytë të kampionatit dhe është paraqitur edhe në ndeshjen ndaj Pejës, që sipas kësaj të fundit është e parregullt.
Sinani në këtë ndeshje ka qenë ndër më meritorët për fitoren e Bashkimit duke regjistruar 11 pikë e 12 kërcime.
Se a ka të drejtë Peja, apo fitorja e Bashkimit ka qenë e rregullt, pritet të mësohet pas shqyrtimit të ankesës nga ana e FBK-së.