HUMBJE E THELLË E PEJANËVE
Peja mposhtet thellë në ndeshjen e parë nga Maroussi
24 September, 2024 @21:21
Pejës do t’i duhet të bëj mrekulli në ndeshjen e radhës ndaj Maroussit. Kjo, pasi që sonte në përballjen e parë të tyre kualifikuese drejt fazës grupore të FIBA Europe Cup, verdhezinjtë janë mposhtur thellë nga ekipi grek dhe duke ditur që edhe ndeshjen e kthimit e luajnë atje, është gjë e vështirë të arrihet.
Maroussi e nisi më mirë ndeshjen, fitoi çerekun e parë me 34-20. Peja sadopak u këndell në çerek të dytë kur ekipet shkuan në pushim me 54-43 në të mirë të vendasve. Ekipi i drejtuar nga Rami Hadar e nisi me 0-6 çerekun e tretë, por më pas grekët morën kontrollin dhe mbyllën atë 74-58, ndërsa në atë të fundit, shtuan epërsinë për përfundimtaren me mbi 20 pikë dallim, 98-75.
Darnell Cowart ishte më efikasi te Peja me 21 pikë të shënuara, ndërsa me 17 pikë ndeshjen e mbylli Jawaun Daniels. 14 pikë i dha Shahada Wells, ndërsa 13 të tjera Jacquez Yow. Wells ka qenë më produktivi te pejanët, duke bërë edhe 10 asistime e 5 kërcime tjera në ndeshje. Te vendasit, Ismael Sanogo luajti me 20 pikë e 10 kërcime, ndërsa nga 18 pikë dhanë Cameron Reynolds dhe Jonathan Stove.
Ndeshja e kthimit, luhet më 26 shtator. Ndërsa Peja duhet të mposht Maroussin me 24 pikë dallim për të kaluar tutje në fazën grupore të FIBA Europe Cup.