PËRFUNDON SERIA FINALE

Fotot: AK/fb
Për të dytin vit me radhë, Trepça shpallet kampione e Kosovës!
21 May, 2025 @20:50
Për të dytin vit me radhë, KB Trepça është kampione e Kosovës në basketboll!
Skuadra mitrovicase e mposhti sonte Bashkimin në ndeshjen e gjashtë të serisë finale dhe rrjedhimisht arriti ta mbrojë titullin kampion.
Sonte në “Minatori”, Trepça ishte më e mirë që nga fillimi dhe me meritë e mbylli ndeshjen me fitore me rezultat 82-67, duke e përfunduar kështu një seri finale fantastike mes dy skuadrave që nuk u dorëzuan në asnjë moment.
Seria finale në fjalë përfundoi 4-2 në të mirë të mitrovicasve.
Sa i përket përballjes së gjashtë, Bashkimi vetëm në çerek të parë i bëri ballë denjësisht Trepçës, 27-22, ndërsa pas epërsisë 18-8 në çerek të dytë prizrenasit më përkundër mundit nuk arritën t’i bënin ballë xehetarëve që asnjëherë nuk rrezikuan fitoren.
Michael Green me 20 pikë, 5 asistime e 3 kërcime ka qenë më efikasi në fitore, ndërsa Michael Myers duke dominuar nën kosh me 11 pikë e 4 kërcime ka larguar rrezikun potencial që do të mund të vinte nga prizrenasit nga afërsia.
Tekele Cotton luajti me 12 pikë, ndërsa Drilon Harizi me 13 të tjera në fitoren e Trepçës, që pas ndeshjes festoi titullin e dytë radhazi në finalen e katërt me radhë dhe të gjashtin në përgjithësi.
Te Bashkimi, Wendell Green dha 20 pikë, 4 asistime e 4 kërcime, ndërsa lojtari tjetër i vetëm që dha pikë dyshifrore ishte Dirk ëilliams, që shënoi 16 sosh. ëilliams shutoi 4/10 për tre pikë, ndërsa Green 1/6.
Ky është titulli i radhës kampion që merr trajneri Adis Beciragic me Trepçën, ndërsa ekipi mitrovicas ka dominuar në secilën garë vendore ku ka marrë pjesë duke fituar të gjitha trofetë e këtij viti.
Sa i përket rrjedhës së stinorit shkurt, Bashkimi për herë të parë në histori kreu stinorin e rregullt në pozitë të parë. Trepça ishte e dyta. Pushuan në çerekfinale si liderë të tabelës në stinor të rregullt dhe shkuan direkt në gjysmëfinale të playoffit, ku pa telashe kaluan kundërshtarët.
E portokallezinjtë, përkundër se kishin epërsinë e terrenit vendas në serinë finale, pësuan në ndeshjen e tretë në shtëpi dhe prej atëherë Trepça përkundër se një herë u luhat, nuk la vend për befasi në “Minatori” ku i fitoi të gjitha ndeshjet dhe me rezultatin e përgjithshëm 4-2, konfirmoi titullin kampion.