DUELI I PARAFUNDIT!

Foto: FBK
Nesër mbrëma, dueli i gjashtë i serisë finale
20 May, 2025 @14:49
Finalet e “Play-off”-it të ProCredit Superligës po dhurojnë emocione të jashtëzakonshme, me atmosferë fantastike dhe ndeshje të bukura në parket.
Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe luftohet deri në sekondën e fundit për çdo top.
Seria finale e “Play-off”-it zhvendoset në Mitrovicë, ku përballen Trepça dhe Bashkimi, dy skuadrat që ishin renditur në dy pozitat e para në garat e rregullta.
Seria finale është 3:2 për ‘Xehetarët’.
Nëse fiton Trepça, atëherë do të mbrojë titullin e kampionit, ndërsa Portokallezinjtë luftojnë për fitore për të barazuar serinë finale në 3:3, në mënyrë që finalja vendimtare të jetë të dielën në Prizren.
Ndeshjen e parë e fituan prizrenasit 84:77, e më pas fituan tri takime radhazi mitrovicasit 79:72, 71:88 dhe 80:74, ndërsa sfidën e fundit Portokallezinjtë 85:77.
Këto dy skuadra u përballën katër herë në edicionin e rregullt me nga dy fitore secila skuadër, e po ashtu ishin përballen edhe në finalen e Kupës, ku triumfuan ‘Xehetarët’.
Ndeshja zhvillohet të mërkurën në Palestrën ‘Minatori’ nga ora 19:00