PALESTRA PËRPLOT

Të gjitha biletat janë shitur për betejën e katërt Trepça-Bashkimi
14 May, 2025 @14:42
Sonte me fillim prej orës 19.00 në “Minatori” të Mitrovicës luhet dueli i katërt i serisë finale të playoffit ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit, ku mitrovicasit janë vendas.
Rreth orës 14.00 sot, klubi mitrovicas ka bërë të ditur se tashmë janë shitur të gjitha biletat për këtë ndeshje dhe “Minatori” me këtë rast pritet të jetë plotësisht i mbushur me publik.
Seria aktualisht është me rezultat 2-1 në të mirë të Trepçës, pasi që këta të fundit siguruan fitoren e parë si mysafir ndaj Bashkimit këtë stinor në duelin e tretë të serisë finale.
RRUGËTIMI DREJT FINALES DHE DATAT E NDESHJEVE
Fitorja eventuale e Trepçës do të bënte rezultatin e serisë 3-1 në të mirë të tyre, ndërkaq në rast të fitores së Bashkimit, rezultati do të bëhej 2-2. Ndeshja e pestë e serisë luhet në “Sezai Surroi” të Prizrenit.
Ekipi që së pari arrin katër fitore në këtë seri, shpallet kampion i Kosovës në basketboll. Trepça është kampione aktuale e Superligës. Bashkimi ka të fituar vetëm një titull kampioni në histori, atë të vitit 2018. Trepça në total ka 5 tituj kampioni.