Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NISIN TË MENDOJNË PËR STINORIN 2025/26

Vëllaznimi vazhdon me Jeronimo Sarinin edhe për një stinor

Vëllaznimi vazhdon me Jeronimo Sarinin edhe për një stinor


7 May, 2025 @13:02

Pas një stinori që është vlerësuar i suksesshëm nga Vëllaznimi, ekipi kuqezi nga Gjakova ka vendosur që të vazhdojë kontratën me trajnerin kroat të ekipit, Jeronimo Sarin.

Sarin, që mori drejtimin e Vëllaznimit pak javë pas fillimit të stinorit 2024/25 ka arritur që të përfundojë i gjashti me Vëllaznimin në Superligë, me bilanc 13-15, ndërsa është eliminuar në çerekfinale të playoffit nga Prishtina.

Vëllaznimi në Kupë të Kosovës ka arritur gjysmëfinalen, ku pasi që eliminoi Yllin në çerekfinale u ndalë nga Bashkimi. Por, sukses i madh është vlerësuar trofeu i parë pas gati tri dekadash, kur kuqezinjtë triumfuan në Ligën Unike.

Për më tepër, Vëllaznimi në njoftim për vazhdimin e punës me shibenikasin ka bërë të ditur se bashkë po e ndërtojnë mozaikun e skuadrës për stinorin e ri të Superligës.

“Me kënaqësinë më të madhe të mundshme, ju njoftojmë se e kemi zgjatur bashkëpunimin me trajnerin tonë, Jerenimo Sarin – një vendim që për të dyja palët ishte më shumë formalitet sesa diskutim për arsyje tashmë të ditura. Në mesin e gjithë emocioneve të sezonit që lamë pas, një gjë u bë e qartë: Nën drejtimin e Sarit, skuadra jonë krijoi një identitet të veçantë dhe ai do të vazhdojë!” — shkroi KB Vëllaznimi në njoftim.

Përndryshe, Sarin përgjatë karrierës së tij ka drejtuar gjysmën e ekipeve të Superligës. Ai ka punuar me Prishtinën, Bashkimin dhe Pejën përgjatë periudhave të ndryshme.

 

 


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga