JERONIMO ŠARIN

Foto: FBK
Njeriu që gëzoi një qytet!
28 March, 2025 @12:58
Jeronimo Šarin, një ish-basketbollist kroat, që nisi karrierën si trajner në vitin 2010, kurse kur tash shikohet karriera e tij ai më së shumti kohë ka kaluar me ekipet nga Kosova.
Në periudha të ndryshme, te ekipet e ndryshme nga qytetet e ndryshme, por asnjëherë në Gjakovë e te Vëllaznimi i “Shani Nushit”. Por aty, ka sjellë gëzimin më të madh që kishte mundur ta paramendonte.
Trajneri kroat 51-vjeçar ka arritur që Vëllaznimit t’ia sjellë trofeun e parë të basketbollit të Kosovës së pasluftës, duke fituar finalen e Ligës Unike ndaj Prishtinës favorite të enjten mbrëma.
Në një ndeshje, ku dy lojtarët e huaj më të mirë të ekipit u përjashtuan për shkak të 5 gabimeve personale, ndërkaq në vazhdime u angazhuan si ujqër, kuqezinjtë triumfuan në atë që bëri fillimin e festës së madhe.
I ardhur në xhiron e gjashtë të Superligës, për të zëvendësuar Branimir Pavicin që nuk ia nisi mirë stinorit, trajneri aktual i Vëllaznimit Jeronimo Sarin do të hyjë në histori si trajneri i parë që dirigjon ekipin gjakovar drejt një trofeu në basketbollin e pasluftës.
Vëllaznimi me triumfin 91-88 ndaj Prishtinës në finale të Ligës Unike në basketboll, ka marrë trofeun e parë të basketbollit pas 29 vitesh! E kroati 51-vjeçar i lindur në Shibenik, që më herët është kampion edhe me Prishtinën në Superligë, ka bërë punë të jashtëzakonshme në këtë arritje madhore të Vëllaznimit.
Liga Unike ka zbehur shkëlqimin që e kishte në fillim dhe reklamimin e madh që e bënte. Por, sidoqoftë kësaj radhe së paku finalja ka qenë jashtëzakonisht dramatike dhe fitore e madhe e Vëllaznimit.