VËLLAZNIMI NË FINALE!

Fotot: FBK
Jitoboh siguron finalen e parë të Vëllaznimit
26 March, 2025 @19:48
Për herë të parë në histori të Ligës Unike, Vëllaznimi është finalist i saj. Ekipi gjakovar, që për herë të parë këtë stinor po merr pjesë në këtë ligë, pasi që arriti Final Fourin, sot me pikët vendimtare të Jason Jitobohsë ka arritur të sigurojë biletën për finale të garës. Aty Vëllaznimi do të ndeshet me fituesin e duelit Prishtina - Besëlidhja Lezhë.
Ylli nuk ka arritur të shënojë pikë në një minutë e gjysmë të fundit të ndeshjes! Vëllaznimi ndërkaq ka ngushtuar epërsinë, ka barazuar atë dhe ka siguruar fitoren me një pikë dallim, 76-75!
Trey Anderson ka qenë më efikasi te Vëllaznimi në këtë fitore. Ai ka shënuar 23 pikë, 19 të tjera i shtoi Jericole Hellems, kurse Jitoboh luajti me 17 pikë, 3 asistime e 7 kërcime.
Ylli, kampion i parë i Ligës Unike, nuk arriti të bëj më shumë, përkundër tentimeve! Pikët nuk erdhën, ndërsa humbën mundësinë për të arritur finalen. Jan Palokaj me 18 pikë, 4 asistime e 4 kërcime ishte më efikasi te suharekasit, ndërkaq Lis Shoshi kreu lojën me double-double prej 17 pikësh e 14 kërcimesh.
Final Four i Ligës Unike po zhvillohet në “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve” në Prishtinë, ndërkaq finalja zhvillohet më 27 mars (nesër mbrëma) me fillim prej orës 20:00. Ndeshja për vendin e tretë, luhet prej orës 17:00 ku takohen humbësit e gjysmëfinaleve.