PRITSHËM NË FINALE

Prishtina arriti finalen pa problem
26 March, 2025 @23:59
Pas pjesës së parë të fortë, 50-33, Prishtina në pjesë të dytë menaxhoi si duhet ndeshjen dhe pa shumë probleme 81-67 arriti finalen e parë të saj të Ligës Unike.
Në stinorin e dytë me radhë që po paraqitet, bardhekaltërit kanë arritur finalen e parë, pasi që në stinorin e kaluar u ndalën në gjysmëfinale nga Trepça, që këtë vit s’mori pjesë në garë edhe pse në stinorin e kaluar fitoi trofeun!
Prishtina e drejtuar nga trajneri turk Murat Bilge, i dha mundësi të gjithë lojtarëve në dispozicion të paraqiten në ndeshje, pasi që ekipi më herët tregoi fuqinë karshi Besëlidhjes nga Lezha, që ishte ekipi i vetëm nga Shqipëria që arriti në Final Four.
Jordan Davis me 19 pikë ishte më efikasi te ekipi fitues, ndërsa 12 pikë i dha kapiteni Muhamedali Janjeva e 11 të tjera Dion Sheqiri. Pos një lojtari, të gjithë basketbollistët tjerë të bardhekaltërve shënuan pikë në këtë fitore.
Marcelleus Garrick nuk mjaftoi te Besëlidhja. Ai dha 24 pikë, ndërsa Juljan Hamati shënoi 11 të tjera për ekipin e drejtuar nga A Bilalli. Besëlidhja të enjten pasdite zhvillon ndeshjen për vendin e tretë, ndaj Yllit që humbi gjysmëfinalen tjetër të Final Fourit nga Vëllaznimi.
E Prishtina, në ndeshjen që nis të enjten mbrëma prej orës 20:00 do të ndeshet me Vëllaznimin debutues në garë, në luftë për trofe. Ajo që është e sigurt, është se cilido ekip që e fiton — do ta merr për herë të parë trofeun e kësaj lige. Gjithashtu, tifozëritë e të dyja palëve kanë paralajmëruar pjesëmarrje në tribuna dhe natyrisht pritet atmosferë e mirë në këtë finale.