TREPÇA IA BËN 2-1 BASHKIMIT

Trepça merr epërsinë në serinë finale
11 May, 2025 @21:03
Me një lojë të mirë të treguar në çerekun e tretë të ndeshjes, 13-24, Trepça ka zgjeruar epërsinë pesë pikëshe që e kishte bërë në pjesë të parë të ndeshjes dhe ka shkuar lehtë te fitorja ndaj Bashkimit në çerekun e fundit, për ta fituar ndeshjen e tretë të serisë finale të playoffit, 71-88.
Me këtë fitore, Trepça ka marrë për herë të parë epërsinë në serinë finale, që luhet deri në katër fitore, duke e bërë rezultatin 2-1 në të mirë të saj. Kjo fitore, në terren mysafir do të thotë që mitrovicasit tash kanë shkrirë epërsinë e terrenit vendas të Bashkimit.
Bashkimi është treguar pa zgjidhje sot, ndërsa i ka munguar Wendell Green në lojë. Gjithashtu, ekipit posa i kthye nga lëndimi Lejson Zeqiri. Por kjo nuk do arsyetim në finale. Trepça me dallimin që e bëri në periudhën e tretë të lojës, tregoi fuqinë dhe pastaj shkoi lehtë te fitorja. Mitrovicasit shutuan me 41% saktësi për tre pikë, karshi 17 % të vendasve sonte.
SKEMA E SERISË FINALE dhe RRUGËTIMI DREJT SAJ
Junior Madut me 16 pikë, 4 asistime e 6 kërcime ka qenë më efikasi te Trepça në fitore. Me nga 13 pikë luajtën Michael Myers dhe Michael Green. I pari bëri 8 kërcime, ndërsa i dyti 4 asistime në proces. Madut u tregua si xhoker i mitrovicasve të drejtuar nga Adis Beciragic sonte, derisa shutoi 3/6 për tre pikë.
Te Bashkimi i drejtuar nga Sasa Jankovc, Jay McKinnis luajti me 14 pikë, ndërsa 13 pikë i shënoi Valon Bunjaku. Me nga 12 pikë lojën e kyren Lejson Zeqiri (0/4 për tre pikë), Mack Smith (0/5) dhe Dirk Williams (2/4). Nga tre ndeshjet e serisë, kjo ka qenë më e parashikueshmja në pjesë të dytë dhe nuk ka pasur fare dramë në fund, si dy të parat.
Përballja e katërt e serisë finale të playoffit të Superligës luhet në “Minatori” të Mitrovicës të mërkurën që vjen, ndërsa seria aktualisht është 2-1 në të mirë të Trepçës. Ekipi që së pari arrin në katër fitore, bëhet kampion i Kosovës për edicionin 2024/25.