Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FINALJA 2: TREPÇA - BASHKIMI

Fitore në “Minatori”, Trepça barazon serinë

Foto: KB Trepça / FB

Fitore në “Minatori”, Trepça barazon serinë


7 May, 2025 @21:02

Fitore për Trepçën ndaj Bashkimit në ndeshjen e dytë të serisë finale!

Përballja e dytë e serisë, e cila u luajt sonte në Mitrovicë, u mbyll me rezultat 79-72 në të mirë të mitrovicasve, të cilët tashmë e barazojnë në 1-1 rezultatin e serisë finale.

Ndeshja sonte ishte fantastike që nga fillimi deri në fund. Si rrallëherë, të tre çerekët e parë të ndeshjes ishin të plotësisht të barabartë (20-20, 21-21, 17-17), duke dëshmuar se çfarë lufte e fortë u zhvillua mes skuadrave në parket e mitrovicasit e fituan ndeshjen duke qenë më të mirë në çerekun e fundit.

20-20 u mbyll çereku i parë, e plotësisht i barabartë ishte edhe i dyti, me ç‘rast skuadrat në pushim mes pjesëve shkuan pranë rezultatit 41-41.

SKEMA DREJT FINALES

Kaloi tejet ngushtë dhe me rezultat të barabartë u mbyll edhe çereku i tretë (17-17). Rrjedhimisht, skuadrat në çerekun e fundit hynë pranë rezultatit 58-58.

E në çerekun vendimtar, mitrovicasit u treguan më të mirë (21-14) dhe e mbyllën ndeshjen me fitore.

Gabimet e shumta personale të Bashkimit luajtën rol kyq në epilogun final të takimit. Vendasit me përvojë shfrytëzuan maksimalisht këtë gjë, duke detyruar prizrenasit të shkaktojnë shumë gabime personale në çerekun e fundit të ndeshjes e kjo padyshim që pati ndikim në rezultatin e ndeshjes.

Michael Myers Jr. dhe Tekele Cotton me nga 22 pikë secili ishin më të mirët te Trepça sonte, ndërkohë 15 të tjera shtoi Drilon Hajrizi.

Te Bashkimi Dirk Williams e Lejson Zeqiri me nga 16 pikë secili ishin koshashënuesit më të mirë të skuadrës.

Duhet përmendur që gjatë çerekut të katërt lëndim pësoi Lejson Zeqiri, basketbollisti shkupjan i Bashkimit, lëndimi i të cilit shpresojmë të mos jetë serioz.

Ndeshja e tretë e serisë luhet në Prizren më 11 maj dhe kësaj here Bashkimi do të luajë me praninë e shikuesve, pasi që ndeshjen e parë të serisë e luajti pa shikues për shkak të dënimit të shqiptuar nga FBK-ja. Kujtojmë që kampione shpallet skuadra që shënon 4 fitore në serinë finale.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga