NGA INFORMATORI

Fotot: KBBashkimi/ fb
Nga ndeshja e tretë, 1 mijë e 200 euro dënim për Bashkimin
13 May, 2025 @12:18
Seria finale e playoffit të Superligës vazhdon nesër me ndeshjen e katërt të përballjeve Bashkimi - Trepça, ku Trepça kësaj radhe është vendase dhe ka epërsinë 2-1 pas tre ndeshjeve të para.
Ndërkaq, Komisioni i Garave të Federatës së Basketbollit të Kosovës ka bërë të ditur në Informatorin për ndeshjen e tretë të serisë finale se të pranishëm në “Sezai Surroi” në përballjen Bashkimi - Trepça kanë rreth 2 mijë e 500 shikues.
Gjithashtu, aty janë shqiptuar edhe dy dënime për klubin e Bashkimit, ku totali i tyre shkon në 1 mijë e 200 euro. Dënimi prej 500 euro dhe tjetri prej 700 eurove i janë shqiptuar KB Bashkimit për shkak të fyerjeve në kor të spektatorëve ndaj skuadrës mysafire, ndërsa në çerekun e katërt kishte edhe hedhje të gjësendeve në fushë që mund të shkaktojnë lëndime të lehta, ku janë theksuar shkrepëset dhe shishet plastike.
Nga dënimet për lojtarë, vetëm Michael Myers i Trepçës është dënuar për gabim teknik me 200 euro.
Kampion i Kosovës do të shpallet ekipi që arrin së pari katër fitore në seri, ku ndeshjet luhen në sistemin vajtje-ardhje. Dueli i radhës luhet në “Minatori” të Mitrovicës, ndërsa Trepça ka epërsinë aktuale 2-1.
Në rast të fitores së Trepçës rezultati i serisë shkon në 3-1, ndërkaq në rast të fitores së Bashkimit, seria barazohet në 2-2. Pas ndeshjes së katërt, që luhet të mërkurën mbrëma me fillim prej orës 19.00, seria bartet në Prizren.