BASHKIMI TRIUMFON, SERIA FINALE VAZHDON

Bashkimi fiton, finalja shkon në ndeshjen e gjashtë!
18 May, 2025 @20:53
Bashkimi ka arritur që të ndalë serinë e fitoreve të Trepçës në kuadër të finaleve të playoffit, duke mposhtur sot mitrovicasit në “Sezai Surroi” 85-77. Me këtë fitore, seria bëhet 3-2 në të mirë të Trepçës. Seria shkon te ndeshja e gjashtë e saj, që luhet në “Minatori” të mërkurën që vjen.
Ekipi që së pari arrin 4 fitore, bëhet kampion.
Ndeshja nisi furishëm për Trepçën, që mori 10 pikë epërsi pas dhjetëminutëshit të parë të ndeshjes. Bashkimi u kthye në lojë në çerek të dytë, që me dallimin dhjetëpikësh, barazoi rezultatin kur u hy në pushim pjesëlojësh, 42-42.
Çereku i tretë shkoi thuajse baraz, me mitrovicasit në epërsi minimale 17-18, kurse në atë të fundit u bë dallimi, kur Bashkimi krijoi epërsi 26-17 për të fituar ndeshjen në fund me 8 pikë dallim.
Valon Bunjaku ka qenë lojtari që bëri gjithçka për prizrenasit në këtë ndeshje. Ai shënoi 15 pikë, tregoi angazhim dhe luftë për secilin top përgjatë 31 minutave sa ishte në parket, ndërsa shtoi 6 asistime dhe 7 kërcime, bashkë me 1 bllokadë dhe 1 top të rrëmbyer ndaj kundërshtarit.
Koshashënues më i mirë te Bashkimi ishte Mack Smith me 19 pikë, ndërsa Dirk ëilliams dha 14 pikë. Smith regjistroi edhe 4 asistime e 4 kërcime.
Michael Green i Trepçës ishte koshashënues më i mirë i ndeshjes. Ai pati performancë të lartë me 23 pikë, 6 asistime e 5 kërcime, por pjesa tjetër e ekipit nuk ndezi si zakonisht te mitrovicasit.
Me pikë dyshifrore te Trepça luajtën edhe Tekele Cotton, që shënoi 12 pikë si dhe Junior Madut, që dha 10 sosh.
Me këtë fitote, Bashkimi shtyen serinë finale në ndeshjen e gjashtë, pasi që rezultati aktual bëhet 2-3 në të mirë të xehetarëve. Përballja e gjashtë e serisë luhet në “Minatori” të mërkurën më 21 maj.
Në rast të fitores së Trepçës, me fitoren e katërt në seri ata bëhen kampionë të Kosovës. Në të kundërtën, Bashkimi bën serinë 3-3 dhe vendimtarja do të luhet të dielën e 25 majit në “Sezai Surroi” ku njëri ekip do të fitojë titullin e kampionit të Kosovës.