Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

I AFROHEN TITULLIT

Trepça një fitore para titullit!

Fotot: KBTrepça/ fb

Trepça një fitore para titullit!


14 May, 2025 @20:41

Vetëm edhe një fitore i duhet Trepçës me sot, për të mbrojtur titullin kampion.

Mitrovicasit kanë arritur që në një ndeshje me shumë kthesa të tregohen më të mirë se Bashkimi në fund, duke fituar duelin e katërt të serisë finale të playoffit të Superligës dhe me këtë fitore, tashmë rezultati i përgjithshëm i serisë është 3-1 në të mirë të tyre.

Kampion i Kosovës bëhet ekipi që së pari arrin katër fitore! Ndeshja e radhës, zhvillohet të dielën në “Sezai Surroi” të Prizrenit. Trepça fitoi sot ndeshjen 80-74, përkundër se Wendell Green i Bashkimit dha 35 pikë për ekipin e tij në natën ku shkëlqeu.

Çereku e parë e fitoi Trepça, 33-26. Në çerekun e dytë një masterklasë e Bashkimit, që ndali vendasit në vetëm dy pikë! Prizrenasit hynë në pushim pjesëlojësh me epërsi, pas periudhës së dytë 2-18!

Pas pushimit, Trepça 100% e këndellur dhe e organizuar hynë në seri 19-0 për të përmbyur rezultatin me 28-16. Pikët e vetme nga loja për Bashkimin i dha Wendell Green, që gjuajti nga gjysma e fushës për tre pikë në sekondën e fundit të çerekut të tretë. Të gjitha të tjerat u shënuan nga gjuajtjet e lira për portokallezinjtë.

Shiko: SKEMA DREJT FINALES, AKTUALE dhe ORARI

E krejt në fund, Bashkimit nuk pat kush t’i ndihmojë pos Greenit, që deri në fund mbajti ekipin në lojë, por Trepça më e koncentruar siguroi fitoren në 10 sekondëshin e fundit. Vetëm 54 sekonda para fundit të ndeshjes, rezultati ishte 76-74 në të mirë të mitrovicasve, që flet për dramën e përjetuar në momentet e fundit të ndeshjes.

Qendra Michael Myers përsëri tha fjalën kryesore te Trepça. Ai shënoi 21 pikë, 2 asistime e 6 kërcime në fitore. Me 16 pikë u dallua Michael Green, që bëri edhe 5 asistime e 7 kërcime, kurse me nga 10 pikë luajtën Batin Tuna e Mikaile Tmusic.

Te portokallezinjtë performanca e madhe e Wendell Greenit nuk mjaftoi. Ai shënoi gati sa gjysma e pikëve të krejt ekipit. Ishte koshashënuesi më i mirë i ndeshjes me 35 pikë të shënuara, duke shutuar 6/11 për tre pikë. Mack Smith dha 17 pikë, 3 asistime e 12 kërcime. Asnjë lojtar tjetër i Bashkimit nuk arriti të shënojë më shumë se 6 pikë në përballje!

Me këtë fitore dhe me bërjen e serisë 3-1, Trepça tashmë është një fitore larg titullit kampion. Dueli i radhës luhet në Prizren këtë të diel. Bashkimi do të duhet tash në secilën ndeshje të kërkojë fitoren, përndryshe - mbaron kampionati!

Bashkimi këtë stinor nuk ka shënuar asnjë fitore në terren të Trepçës, përfshirë stinorin e rregullt. Trepça për herë të parë këtë e arriti në ndeshjen e tretë të serisë finale të playoffit.

Bashkimi kishte epërsinë në seri 1-0, ndërsa Trepça hyri në seri të fitoreve duke i fituar tre ndeshjet e radhës!


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga