NOT

Phelps e përfundon me të artë
14 August, 2016 @11:47
Dita e fundit e notit në pishinë ka mbaruar ashtu siç ka shkuar kjo Olimpiadë – nën dominimin e SHBA-ve. Në katër garat e fundit, SHBA-të siguruan dy tituj dhe dy të argjendta.
Michael Phelps qe pjesë e stafetës që fitoi titullin në 4x100m stil i përzier duke siguruar medaljen e tij të 23 të artë në Olimpiada. Kjo ishte edhe gara e fundit zyrtare për Michael Phelps i cili në total në lojërat olimpike ka 28 medalje. Ryan Murphy, Cody Miller, e Nathan Adrian ishin pjesë e stafetës që shënoi rekord të ri olimpik me kohë 3:27.95. Britania e Madhe dhe Australia morën dy medaljet tjera.
Tek femrat, në të njëjtën kategori SHBA-të morën të artën para Australisë dhe Danimarkës.
Në garën më të gjatë në disiplinën e meshkujve, në 1500m stil i lirë titulli i takoi italianit Gregorio Paltrinieri. Për Italinë ishte edhe e bronzta me Gabriele Detti, derisa u ndanë nga Connor Jaeger nga SHBA-të i cili siguroi të argjendtën me rekord kombëtar.
Rekord kombëtar shënoi edhe Pernille Blume e cila u bë kampione olimpike në 50m stil i lirë për të artën e parë të Danimarkës. Simone Manuel nga SHBA-të mori të argjendtën para bjelloruses, Aliaksandra Herasimenia.
Pas 32 garave në not, SHBA-të përfunduan me 33 medalje, duke fituar gjysmën e finaleve me 16 të arta. Australia u rendit e dyta me 10 medalje, prej të cilave tri të arta. Po aq të arta pati edhe Hungaria nga 7 medalje në total.