DITA-3
Roland Garros 2013: Raundi II
29 May, 2013 @7:28
Edhe pse disa nga ndeshjet e raundit të parë nuk kanë përfunduar në tërësi për shkak të motit me shi, raundi i dytë nuk do të presë dhe do të vazhdojë (sot) me meçin e Roger Federer kundër indianit Somdev Devvarman. Në anën e femrave, takohen Serena Williams dhe Caroline Garcia.
Tinejxherja françeze, Garcia, nuk duhet të anashkalohet. Ajo para dy viteve, në Roland Garros, e frikësoi Maria Sharapovën deri në fund duke i treguar lojë të fuqishme — lojë të cilen françezja e humbi, por tregoi potencialin e saj që pritet të shihet sot (e Mërkure) kundër të parës së botës, Williams.
“Unë jam rritur [që nga atëhere], mirëpo Serena është favorite ngase ka më shumë eksperiencë...” — deklaroi e 114-ta në botë, Garcia.
Poashtu, David Ferrer ndeshet me bashkëkombasin Albert Montanes, meç ky jo edhe i konsideruar aq interesant nga organizatorët e turneut, ngase është caktuar të zhvillohet në terrenet dytësore të Roland Garros.
Dje
Në meçet e ditë së kaluar, i pari i botës, Novak Djokovic mposhti në tre sete belgun David Goffin. Në Roland Garros 2012, Goffin kishte arritur në raundin e katërt dhe të gjithë prisnin më shumë nga belgu, mirëpo takimi me Djokovic në raundin e parë ishte sfidë e vështirë për tu ballafaquar.
Nga konkuruesit më të vjetër në turne, japonezja e këndshme, 42-vjeçara Kimiko Date Krumm, u mposht nga e shtata e botës Samantha Stosur.