Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

AMERIKANE

Titulli për çorapkuqët

Titulli për çorapkuqët


31 October, 2018 @11:04

MLB

Red Sox u bën ekipi i parë që fiton katër tituj në këtë shekull, diçka që nuk është arritur nga asnjë ekip tjetër, as Giants! Ndërkohë Dodgers mbeten në dy finale të humbura radhazi, dhe si një fans i Brewers mund të them – më se të merituara! Për dy arsye – Dave Roberts dhe Manny Machado!

Njëri ndër lojtarët e lirë më të pritur këtë dimër në treg, në të dy ndeshjet e fundit shfaqi karakterin e tij negativ! Kundër Brewers me qëllim goditi në këmbë Jesus Aguilarin, derisa kundër Red Sox u akuzua për vjedhjen e sinjaleve të kundërshtarit. Tek të dyja, dhe rastet tjera, Roberts i dha përkrahjen Machados!

Gjersa në NLCS pikë kthimi ishte loja me ininge ekstra, në finale kundër Red Sox, ndonëse fituan lojën më të gjatë në World Series, Dodgers nuk ia dolën të kthehen. Ndoshta lodhja imund të konsiderohet si faktori kryesor tek Dodgers, ky faktor do të ishte nënçmim për ekipin më të mirë të këtij viti në bejsboll.

Hedhësit ishin të hatashëm, me Chris Sale e David Price në krye të detyrës, ndihmuar nga goditësit, në veçanti lojtarin më të mirë të vitit në bejsboll, JD Martinez; dhe MVP-në e serisë finale, Steven Pearce! Ishte një sezon i Red Sox, të cilët me meritë fituan gjithçka që mund të fitohet në bejsboll. Nuk janë dinasti në vete, por kanë të gjithë elementet për t’u shndërruar në një të tillë.

NFL

Megjithëse hodhi për 324 jardë, paraqitja e Tom Bradyt u cilësua si e mangët pasi nuk hodhi asnjë touchdown. Po të ishte ky Andrew Luck i cili ka pasur probleme me krah, do të duhej të bëhemi merak. Por, për Bradyn edhe atë kundër Bills, mungesa e touchdown do të lëndonte vetëm lojtarët e Fantasy Football.

Me këtë fitore, Patriots kthehen aty ku e kanë vendin viteve të fundit – në pozitat që dërgojnë direkt në rundin e konferencës. Para u mbeten vetëm Chiefs të cilët ende po bëjnë mrekulli me Maholmes këtë sezon. Por, nëse shohim AFC-në, për befasi është renditja e Texans të cilët me gjasë do të ikin me AFC South këtë sezon.

Në anën tjetër, në NFC kemi Rams të cilët mund të shkojnë edhe 16-0 këtë sezon. I vetmi ekip i denjë për të ndalur ata, për momentin duken të jenë Saints. Fitorja kundër Vikings vetëm sa dëshmon një përparësi të tyre ndaj ekipeve tjera të NFC. Në fakt divizioni i Vikings, NFC North është më i miri në NFL këtë sezon. Pos renditjes, edhe ndeshjet e ndërmjetme kanë qenë fantastike. Për çudi, Bears po udhëheqin këtë divizion pasi iu kthyen fitores kundër Jets.

E meraku i madh mbetet falë Ty Montgomeryt. Ai është përgjegjësi kryesor pse Rams ende janë të pamposhtur. Vet ai i mohoi Aaron Rodgersit posedimin e fundit kundër Rams, dhe të gjithë e dimë se çfarë mund të bëjë kuarterbeku më i mirë i NFL-së në posedimin e fundit! Rast i mirë shpagimi do të jetë fitorja eventuale kundër Patriots të dielën. Për shumëkënd, ky duel merr edhe epitetin e sfidës së titanëve për të vendosur cili është kuarterbeku më i mirë aktualisht. Për mua, nuk ka dyshim që dikush mund t’i afrohet Aaron Rodgersit. Ndoshta Drew Brees!

 


 
Të gjitha lajmet nga Të tjera