FITORE E MADHE E VËLLAZNIMIT
Vëllaznimi befason Prishtinën duke i shënuar rekord pikë të stinorit!
28 October, 2024 @20:46
Në një ndeshje ku Prishtina priste fitore të lehtë, ka hasur në arrë të fortë, ndërsa Vëllaznimi në debutimin e trajnerit të ri Jeronimo Sarin, i cili nuk u prezantua në llogaritë zyrtare të ekipit në rrjete sociale, ka shënuar fitore.
Dhe atë, fitore me rekord pikë të shënuara të stinorit për kuqezinjtë, por edhe rekord pikë të pranuara nga Prishtina! Vëllaznimi ka shënuar fitore të madhe në “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve” sonte, duke e mposhtur Prishtinën, 85-101.
Ndeshja nisi më mirë për Prishtinën, ndërsa Vëllaznimi mori veten në vazhdim për të mbyllë çerekeun e parë në avantazh minimal, 23-24. Në çerek të dytë ekipi gjakovar më i përqëndruar i shkakton Prishtinës dallim 11 pikësh, 15-26, për të shkuar qetë në pushim.
Pjesa e dytë luftë një-me-një që thuajse shkoi barabartë, mjaftueshëm për ekipin gjakovar për të shtuar dallimin edhe pak, për të fituar ndeshjen me 16 pikë dallim, 85-101.
Me 101 pikë të shënuara, Vëllaznimi është bërë ekipi që ka shënuar më së shumti pikë në një ndeshje të Superligës këtë stinor!
Me 22 pikë të shënuara, Trey Anderson ka qenë më efikasi, ndërsa 17 pikë dha Shizz Alston. Atik Koshi shënoi 13 pikë, derisa shutoi 3/4 për tre pikë. Ndërkaq te Prishtina nuk mjaftuan 22 pikët e Daniel Lekndreajt e as double-double i Damiree Burns, që shënoi 21 pikë e 14 kërcime!
Me këtë fitore, Vëllaznimi bëhet me bilanc 3-4, duke dalë mbi Pejën në tabelë, ndërsa Prishtina mbyll ciklin e parë të ndeshjeve të Superligës me bilanc 4-3.