Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PRIZRENI - VËLLAZNIMI

Vëllaznimi fiton pas vazhdimeve, ngjitet mbi Prizrenin

Vëllaznimi fiton pas vazhdimeve, ngjitet mbi Prizrenin


28 January, 2023 @19:05

Një ndeshje tejet interesante është zhvilluar sonte mes Ponte Prizrenit dhe Vëllaznimit në Suharekë.

Mes skuadrave në fjalë nuk pati fitues pas kohës së rregullt, e cila përfundoi 78-78, e vazhdimin 5-minutësh e fitoi skuadra gjakovare 8-13, për ta mbyllur ndeshjen me rezultatin përfundimtar 86-91.

TABELA AKTUALE

Vendimtare në kohën shtesë ishin 8 pikët (dy treshe) e Harris dhe një tresh i Zekiqit për gjakovarët, të cilët kjo fitore i ngritë mbi Prizrenin në renditje.

Jordan Harris sonte ka qenë i pakapshëm. Amerikani ka qenë snajper i vërtetë sonte, ndërsa ka shutuar 13 herë për tri pikë duke shënuar 10, për të kryer lojën me 35 pikë, bashkë me 6 asistime e 4 kërcime.

E tërë pesëshja e parë e Vëllaznimit shënoi pikë dyshifrore, ndërsa Burim Zekiqi pas Harrisit shënoi më së shumti. Mitrovicasi dha 15 pikë, të gjitha treshe, duke shutuar 5/10 për tri pikë!

Te Ponte Prizreni, që në çerekun e katërt kaloi në epërsi 6-pikëshe dhe ishte afër fitores kur kishin mbetur edhe 1.30 minuta deri në fund të lojës, më efikasi ka qenë Adam Grant me 21 pikë. Edhe ky ishte mjaft i mirë në gjuajtjet nga distanca, duke shënuar 5/8 për tri pikë!

Leon Gilmore kreu lojën me double-double prej 14 pikësh e 10 kërcimesh, që nuk mjaftoi për më shumë. Duhet theksuar se bashkëpunimi ekipor ka qenë më i lartë te Vëllaznimi dukshëm sonte, që tregon edhe numri i asistimeve nga skuadrat. Derisa në tërë ndeshjen Ponte Prizreni bëri 7 asistime në total, Vëllaznimi i regjistroi 25.

Pas kësaj ndeshjeje, Vëllaznimi bëhet me bilanc 8-12 ndërsa Prizreni 7-13, i parafundit në renditje.

 


 
Të gjitha lajmet nga