AUTOSPORTE
Arton Ajvazi triumfoi në drag race
Teksti: FASK
3 August, 2015 @11:09
Arton Ajvazi, i cili jeton në Zvicër, me veturën e tij Nissan GTR e pati kohën prej 10 sekonda e 873 të qindtat, që njëherësh ishte edhe rekordi i shtegut. Megjithëse shtegu ishte i gjatë vetëm 402 metra, ai arriti të zhvillojë shpejtësinë prej 226.77 kilometra në orë. Pas garës, ai është shprehur i kënaqur, por jo edhe i befasuar me suksesin e arritur.
“Normalisht që jam i kënaqur për poziën e parë, duke marrë parasysh që gara ishte shumë cilësore dhe konkurrenca e madhe”, ka thënë Ajvazi, i cili më pas ka shtuar: “Nuk jam i befasuar me këtë sukses, sepse kam qenë i vetëdijshëm për karakteristikat e veturës sime”.
E një rezultat i tillë nuk duket të jetë i befasishëm, pasi Ajvazi ka bërë të ditur se vetura e tij (përfshirë investimet extra që i ka bërë) ka kushtuar afro 200 mijë euro.
Gara e sivjetme ka qenë më masivja që është zhvilluar ndonjëherë në Kosovë. Saktësisht 100 garues nga vende të ndryshme të Evropës treguan pasionin dhe dashurinë për automobilizmin, ndërkohë që mijëra shikues për gjatë dy ditëve nuk u zbrapsën as nga temperaturat tropikale që mbretëruan në vendin tonë.
Përveç fituesit, mjaft atraktiv për të pranishmit ishte Esad Dosjlaka nga Novi Pazari, i cili me veturën e Opel Corsa RS triumfoi në kategorinë e 11-të, pastaj fituesi i vitit të kaluar Skender Potera me Audi RS 6, si dhe Burim Habibaj, të cilit i takoi pozita e parë në kategorinë e 13-të. Ai me Opel Kadett ishte befasia më e mirë, duke arritur në cak më shpejtë se shumë vetura dukshëm më të reja dhe shumëfish më të shtrenjta.
Kryetari i Federatës së Auto Sportit të Kosovës, Ismet Rexhepi, ka vlerësuar se mundi dhe puna e madhe që janë bërë për këtë garë janë arysetuar me atë që ofroi drag race për këtë vit.
“Me rëndësi është që gjithçka ka përfunduar siç është më së miri. Tani po ndihemi shumë më të qetë dhe më të relaksuar, sepse nuk ka qenë e lehtë të organizohet një ngjarje e tillë. Po ashtu dua të përgëzoj shikuesit që edhe në këto temperatura shumë të larta, gjatë dy ditëve qëndruan nga 7-8 orë, duke treguar dashurinë për automobilizmin. Mirëpo, është më se e qartë, se ky publik, këta garues dhe ky vend në përgjithësi meriton infrastrukturë më të mirë, pra edhe një shteg të mbyllur, i cili do të kishte dobi të shumëfishta. Besoj që nga viti në vit ne do të punojmë edhe më mirë në mënyrë që t’i arrijmë vendet me automobilizëm të zhvilluar”, është shprehur Rexhepi.
Organizatori ka siguruar shpërblime për tri pozitat e para në secilën kategori, ndërsa kompania “Lassa” për fituesin e përgjithshëm ka ndarë shpërblimin prej 1000 eurosh.
Shikuesit kanë pasur rastin të shohin edhe atraksione nga disa motoiçklistë si dhe në karting.
Fituesit sipas kategorive
Kategoria e 16-të: | 1. Leotrim Sylejmani | 2. Mehmet Jarar | 3. Besart Grozda |
Kategoria e 15-të: | 1. Muqë Beqiri | 2. Valon Beqiri | 3. Nehat Mani |
Kategoria e 14-të: | 1. Berat Havolli | 2. Përparim Ebibi | 3. Behar Emërllahu |
Kategoria e 13-të: | 1. Burim Habibaj | 2. Ibi Iballi | 3. Faruk Imeri |
Kategoria e 12-të: | 1. Liridon Kalenderi | 2. Arbër Kryeziu | 3. Maliq Haziraj |
Kategoria e 11-të: | 1. Esad Dosjlak | 2. Skender Potera | 3. Florim Hasani |
Kategoria e 10-të: | 1. Arton Ajvazi | 2. Xhevdet Leci |