AUTO SPORTS
Atraksionet vazhdojnë në Brezovicë
Teksti:FASK
28 July, 2017 @18:05
Shtegu i Brezovicës është vend takimi i radhës për automobilistët kosovarë. Në këtë fundjavë zhvillohet gara e katërt e diciplinës malore në kuadër të Kampionatit të Kosovës për këtë vit.
Karakteristikat e shtegut, rivaliteti i madh që po mbretëron sivjet, veturat gjithnjë e më atraktive si dhe fakti që diciplina malore është më tërheqëse për dashamirët e këtij sporti, bëjnë që pritjet për shikueshmërinë edhe këtë herë të jenë të mëdha. Duke marrë parasysh edhe numrin e madh të gurbetçarëve tanë që aktualisht janë për pushime në Kosovë, është e sigurt që një numër i konsiderueshëm i tyre do ta shfrytëzojnë rastin që duke kaluar fundjavën në këtë pjesë të bukur të vendit, të përcjellin edhe garën.
Bardhyl Canolli, Valdet Krasniqi, Naim Dashaj, Blerand Hasanaj e të tjerët premtojnë garë atraktive, ndërsa Federata e Auto Sportit e Kosovës, në bashkëpunim me Auto Klubin Ferizaj i kanë ndërmarrë të gjitha masat që gara të ketë rrjedhën më të mirë të mundshme.
Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë dhe Brigada e Zjarrfikësve po ashtu do të jenë aty për të asistuar në mbarëvajtjen e garës.
FASK-u kërkon mirëkuptim nga kalimtarët e rastit, të cilët do të duhet të presin në intervale të caktuara kohore, por gjithsesi do të kujdeset që pritjet e tyre të jenë sa më të shkurtëra.
Paraqitja e pjesëmarrësve në garë bëhet të shtunën nga ora 8:30 - 9:30. Pas procedurave të zakonshme, do të zhvillohen dy vozitje provuese, ndërsa të dielën janë dy vozitjet zyrtare. Përmbyllja e aktivitetit është paraparë të dielën rreth orës 15:30 me shpalljen zyrtare të fituesve.