EYOF 2017: GYOR
Zeka, vazhdon garën për medaljen e bronztë
Teksti: KOK
28 July, 2017 @15:57
Xhudisti ynë, Shpat Zeka, po e vazhdon luftën për medaljen e bronztë në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj (EYOF), “Gyor 2017”, që po mbahet në Hungari.
Ai deri më tani ka arritur dy fitore dhe një humbje në kategorinë deri 90 kilogram.
Zeka në luftën e parë mposhti bullgarin, Oleg Mirov, me ippon pas shënimit të artë.
Më pas u përballë në çerekfinale me gjeorgjianin, Mikheili Bekauri, nga i cili pësoi humbje. I njëjti garues e kishte mposhtur edhe në Kaunas të Lituanisë, në Evropianin për kadetë.
Lufta e ardhshme ishte ajo e repesazhit, ku Shpati triumfoi në mënyrë maestrale ndaj lituanezit, Deivis Ciuciounais me ippon, pas më pak se një minuti.
Pasdite vonë, ai zhvillon luftën e radhës me rumunin, Eduard Serban. Nëse e kalon këtë pengesë, i duhet edhe një fitore për të fituar të bronztën, që do të ishte medalja e parë e ekipit olimpik të Kosovës në “Gyor 2017”.