OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Ditari Olimpik nr. 14 – Minuta olimpike
Shkruan: Luan Morina
22 February, 2018 @21:59
Një kupë e botës kërkon rezultatin më të mirë të përgjithshëm në së paku gjashtë gara, deri në dymbëdhjetë, varësisht prej sportit dhe disiplinës. Mund të dominosh një disiplinë apo edhe një sport të tërë për katër vite, por të dështosh në atë minutën olimpike e cila ka rëndësinë më të madhe ndoshta se të katër kupat e botës ndërmjet dy Olimpiadave. Ashtu u ndodhi Marcel Hirscher dhe Mikaela Shiffrin.
Të dy mbretërit e skijimit alpin do të largohen nga kjo Olimpiadë me vetëm një të artë, nga së paku tri që kishin pritur. E njëjta vlen edhe për Heidi Weng në kros-kountri, e cila nuk mori asnjë medalje të vetme përkundër dominimit të sezonit në Kupën e Botës. Edhe Richard Freitag i cili është parë si konkurrenti i parë i Kamil Stoch në kërcime me ski kaloi ngjashëm.
Pa marr parasysh përvojën, pesha e titullit olimpik është e rëndë edhe për më të mëdhenjtë. Edhe Lindsey Vonn ka vetëm tri medalje olimpike në karrierën e saj të përshkruar nga lëndimet. Simon Ammann asnjë herë nuk ka fituar Kupën e Botës, as Katër Kërcimoret, por ka dy herë nga dy medalje të arta në Olimpiada. Në momentet kur nuk ishte aspak në formë.
Dhe në anën tjetër kemi të rinjtë që marrin titujt olimpik ende pa i mbushur 16 vjeç. Snoubordistët amerikan, ruset në patinazh artistik, kinezët dhe koreanët në patinazh të shpejtë në shtigje të shkurtra. Votën e parë politike, vozitjen e parë të automjetit do ta bëjnë vonë pasi që kanë marr medaljen olimpike.
Një minutë në katër vite, për të mbetur përgjithmonë në histori.
Edhe kjo Olimpiadë ka shumë momente të tilla, disa prej të cilave ndodhën edhe sot. Zviceranët fituan pesë pikë me një lëshim të saktë në kurling duke siguruar gjysmëfinalen të cilën e humbën më pas. SHBA-të ndërprenë dominimin kanadez me gol të mahnitshëm në penalti. Anna Gauser u bë kampione e parë olimpike në Big Air. Darya Domracheva fitoi medaljen e dytë pas rikthimit në biathlon me lutjen e fëmijëve për të cilët kishte lënë biathlonin. Gjëra të çuditshme bëhen për suksesin në Olimpiadë.
E Albin Tahiri mbylli edhe garën e sllallomit, të cilën nuk e kishin përfunduar as Hirscher e Kristoffersen – dy emra të cilët kanë dominuar këtë sport viteve të fundit. Kuptohet që presioni mbi ta ka qenë shumë më i madh se në Albinin, por zotësia e tij për të përfunduar të tri garat është për tu çmuar. Albini i dhuroi Kosovës minutat e para olimpike. Tani radhën e kanë të tjerët.
E premtja vetëm nis lëshimin e perdes në skenën e PyeongChangut. Zagitova dhe Medvedeva do të përkujdesen për një duel historik në patinazh artistik. Programi i lirë i femrave nis në ora 2, por dymbëdhjetë më të mirat nuk pritet të nisin garën para orës 3:30. Në ora 2 nis edhe ski-krosi i femrave, me finalen rreth orës 3:20. Në ora 11 nis gara 1000m në patinazh të shpejtë, ndërsa në ora 12:15 është në program stafeta e meshkujve në biathlon.
Pos katër finaleve, Çekia dhe Atletët Olimpik të Rusisë ndeshen në ora 8:40, Kanadaja dhe Gjermania në ora 13:10 për të gjetur finalistët në hokej mbi akull për meshkuj. Gjysmëfinalet e femrave në kurling nisin në ora 12:05 me Korenë kundër Japonisë, dhe Britaninë e Madhe kundër Suedisë. Tek meshkujt, në ora 7:35, Zvicra dhe Kanadaja do të luftojnë për medaljen e bronztë.
Në renditjen e medaljeve, Norvegjia është e para me 35 medalje, 13 prej të cilave të arta. Po aq të arta ka edhe Gjermania por nga 25 në total. Kanadaja është e treta me 24 në total, 9 prej të cilave të arta.