BOKS
Donjeta Sadiku synon normën olimpike nga Parisi
2 June, 2021 @16:36
Boksierja jonë, Donjeta Sadiku, ka udhëtuar drejt Parisit të Francës, ku prej 4 deri më 8 qershor 2021 mbahet turneu kualifikues evropian i boksit për Lojërat Olimpike Tokio 2020.
Turneu i njëjtë kishte filluar në Londër, në mars të vitit të kaluar, por më pas ishte ndërprerë në gjysmë për shkak të pandemisë. Tani kualifikimet evropiane do të vazhdojnë në kryeqytetin francez, në Paris.
Sadiku, është garuesja e vetme nga Kosova që ka mbetur në garë për kualifikim. Ajo e kishte mposhtur gjermanen, Maya Kleinhans, në raundin e parë të kategorisë deri në 60 kg.
Në raundin e dytë Donjeta do të takohet të premten ndaj suedezes, Agnesa Lexiussion. Nëse shënon fitore, i duhet që edhe njërën nga dy luftërat e ardhshme ta fitojë për të siguruar normën olimpike.
“Kundërshtaren e njoh (Lexiussion) dhe ajo më njeh mua. E kam përgatitur meçin dhe mendoj se jam përgatitur mirë dhe besoj në fitore”, ka thënë Sadiku për faqen e Komitetit Olimpik të Kosovës.
21-vjeçarja në muajt e fundit zhvilloi përgatitje në Finlandë dhe në Sofje të Bullgarisë. Në Tampere të Finlandës u përgatit me boksieren Mira Potkonenn, medaliste e bronztë olimpike në Rio 2016, ndërsa në Sofje u përgatit me medalisten evropiane dhe botërore, Stanimira Petrova.
Nëse Sadiku fiton normën olimpike, do të bëhet sportistja e 11-të e ekipit olimpik të Kosovës, që do të përfaqësojnë vendin tonë në Lojërat Olimpike Tokio 2020, ndërsa e shtata me normë.
Së fundi biletën për në Tokio e pati siguruar shenjëtari nga Vitia, Drilon Ibrahimi.