MEDIA

Driton Kuka nga Lisbona: As që më ka shkuar ndërmend një sukses i tillë
18 April, 2021 @22:45
Trajneri fantastik i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, para pak çastesh ka dhënë një intervistë direkte për KTV-në në emsionin sportiv Sporti Total.
Duke folur, i gëzuar jashtë mase dhe krenar me suksesin e nxënësve të tij, Kuka ka thënë ndër të tjera që suksesi përfundimtar i Kosovës as që i ka shkuar ndonjëherë ndërmend.
“Pas përfundimit të garave, luftës së fundit që ishte sot dhe plasmanit në tabelë të medaljeve, Kosova është dëshmuar si ekipi më i fortë i xhudos në evropian,” ka thënë Kuka.
Përkundër se medaljet në evropian nuk kanë munguar, duke kujtuar medaljen e Majlinda Kelmendit më parë dhe të tjera, plasmani përfundimtar ka qenë i paparashikueshëm për të.
“Kjo as që më ka shkuar ndonjëherë në mend. Një ekip i vogël të arrijë këtë sukses, me të vërtetë s’e kam mendu. Kjo është e jashtëzakonshme. Shpresoj që kjo të përsëritet edhe në sportet tjera, por edhe përsëri në xhudo,” ka shtuar ai.
Ndërsa më e rëndësishmja për të ka qenë fitorja e Akil Gjakovës. Kjo, pasi që për herë të parë Kosova ka kampion evropian te meshkujt.
“Tashmë përveç çikave, kemi edhe Akilin kampion, që është gjithashtu historike në sportin kosovar në një garë elite,” ka shtuar në fund Kuka në lajmërimin e tij nga Lisbona.
Kosova ka përfunduar si ekip i pari në Kampionatin Evropian të xhudos në Lisbonë, 2021, duke lënë pas ekipet tjera me shumë më shumë garues.