RAFA'FED
E 30-ta e vërteta
19 May, 2013 @12:36
Në pritje e sipër të finales së madhe sot në Internazionali BNL d’Italia, Borozani.com ju sjellë disa statistika ekskluzive rreth përballjeve në mes të Roger-it dhe Rafa-s gjatë viteve.
Statistikat
Gjatë karierës së tyre profesionale, Federer dhe Nadal, janë takuar gjithsej 29-të herë ku 19 fitore i kanë takuar Rafa-s — ndërsa 4 ndeshjet e fundit në mes dy titanëve kanë mbaruar me nga 2 fitore për secilin.
Takimi i parë në vitin 2004 i takoi Rafa-s i cili mundi zviceranin në dy sete (6-3, 6-3) në Miami Masters.
Këta dy, gjithsej në finale janë takuar 20 herë, ku Nadal i ka mbledhur 15 trofe.
Rezultati në terrene të zallit shkon në favor të Nadal ku spanjolli i ka fituar 12 sosh, ndërsa zvicerani vetëm dy nga ato (Hamburg Masters 2007, Madrid Masters 2009).
Ndeshja më e gjatë në mes rivalëve të përbetuar është shënuar në turneun e Internazionali BNL d’Italia (ku ndeshen sot). Ky meç kishte zgjatur 5 orë e 5 minuta në gjithsej 5 sete, ku 3 sete ishin vendosur përmes tie-brake. Këtë ndeshje asokohe e kishte fituar Nadal — e cila ndeshje ishte poashtu paraqitja e parë e Roger Federer në Finale të Roma Masters.
Meçin më të shpejte në mes dy rivalëve, e kishte përmbyllur Federer për vetëm 59 minuta në dy sete të shpejta (6-4, 6-1) — në gjysmëfinale të Tennis Masters Cup në Kinë në vitin 2007.
Gjatë karrierës së tyre, në ndeshjet profesionale (duke mos i llogarituar ekzibicionet dhe ndeshjet bamirëse) — Rafa dhe Roger kanë lujtar së bashku gjithsej 73 orë e 43 minuta.
Kjo do të jetë finalja e parë e vitit për Federer, ndërsa e teta me rradhë e Nadal në sezonin 2013.
Këta të dy nuk janë takuar asnjëherë në US Open.
Në statistika të përgjithshme individuale, Federer e dominon Rafan, mirëpo në meçet kokë-më-kokë Nadal ka qenë kundështari që gjithnjë ka arritur ta mposhtë zviceranin.
Vlen të theksohet se këta dy titanë, së bashku brenda dhjetë viteve (2003–2012) kanë fituar 28 Grand Slam-e, duke i dominuar tërësisht vitet 2006, 2007 dhe 2010 me të gjitha katër Grand Slam-et e fituara të këtyre viteve.
Deklaratat para ndeshjes
Federer: “Rafa është favorit dhe zalli është terreni i tij i preferuar. Sigurisht që edhe unë kam rast ta mposht, por do të jetë luftë e vështirë. Nëse arrij t’i marrë vendimet e duhura gjatë ndeshjes, ndoshta edhe mund ta mposhti atë.”
Nadal: “Jam në formë të mirë dhe stabile. Për të fituar në Romë duhet të jesh mentalisht në një vijë si lojtarë.
Shoqëria në mes rivalëve
Relacioni në mes të dy titanëve ka qenë i shëndoshë dhe reciprok gjatë gjithë karrierave së tyre. Edhepse në fillim të karrierës së Nadal, Federer nuk e ka pranuar spanjollin si rival të denjë (ndoshta për shkak të moshës 6 vjeç më të re se zvicerani) — ai kishte theksuar gjatë një konference për shtyp se “...ndeshjet në mes nesh sa shkojnë e bëhen më speciale çdo herë...”. Njëra ndër ndeshjet më të njohura në botën e Tenisit — ajo e finales së Wimbledon në vitin 2008 të cilën e fitoi Nadal — e kishte zyrtarizuar praninë e spanjollit si konkurrent të fortë përballë Federer, me ç‘rast zvicerani kishte deklaruar sërish se “...shikoni se çka u dasht të bënte (Nadal) të arrinte deri këtu…kësi raste kam dëshirë t’i shikoj…”.
Të dy këta gjigantë janë poashtu të njohur për organizimet e ndryshme bamirëse në botë, ku vazhdimisht takohen për ndeshje solidarizuese në ndihmë të të tjerëve.
Sot
Sot pritet të shihet nëse 32-vjeçari Roger Federer do të mund ta mposht 26-vjeçarin Rafael Nadal dhe kështu ta fitojë edhe Roma Masters-in e parë në karrierë. Statistikat anojnë në favor të Rafa-s. Nëse Federer arrinë ta thyej Rafa-n heret në setet e para, atëherë zviceranit do tii ipet rasti unik për ta mposhtur spanjollin. Në të kundërtën, forma e përkryer fizike e spanjollit — pas pushimit gati një vjeçar — nuk do t’ia falë as gabimin më të vogël legjendës së tenisit me gjithsej 17 fitore në Grand Slam — disa kritikë thonë edhe të paarritshme nga cilido teniser aktual.
Kurse, 8-ditë pas finales së Romës, fillon Grand Slam i dytë i vitit — ajo e Roland Garros (French Open) të cilën Borozani.com do t’ua sjellë në detaje.