AUSTRALIAN OPEN
Edhe Sharapova në shtëpi
20 January, 2014 @9:22
Rruga për në titullin e dytë të Australian Open përfundoi para çerekfinales për rusen Maria Sharapova.
Bartësja e tretë e turneut u befasua nga sllovakja Dominika Cibulkova sot, duke u mposhtur 2-1 në sete. Për më tepër pas barazimit të rezultatit Sharapova morri pauzë mjekësore për tu trajtuar edhe njëherë nga stafi i saj, ndoshta edhe për të arsyetuar humbjen e pashmangshme pasi sllovakja kishte marrë gjithçka në duart e veta në ato momente.
“Ajo luajti shumë mirë. Kërkoja të gjeja një rrugë për fitore si në ndeshjet e kaluara por kësaj radhe ishte e pamundur, shto kësaj edhe dhimbjet nga qëndrimi për kohë të gjatë në terren,” ka thënë rusja Sharapova pas humbjes.
Në anën tjetër, 24 vjeçarja Cibulkova nuk ka kalkuluar shumë gjatë ndeshjes. Ajo shfrytëzoi çdo rast që iu dha për të marrë pikët e nevojshme duke e gjunjëzuar bartësen e tretë të turneut para çerekfinales.
Sllovakja në çerekfinale do të ndeshet me rumunen Simona Hapel, e cila si bartëse e 11-të e turneut mposhti serben Jelena Jankovic, bartësen e tetë të turneut.