GJAKOVA HIGHLAND MARATHON 2017
Gjithçka gati për “Maratona e Malësisë së Gjakovës”
15 August, 2017 @10:17
Për të dytin vit radhazi, në muajin tetor qyteti i Gjakovës organizon ‘Maratonën e Malësisë së Gjakovës’.
Kjo maratonë do të mbahet më datën 7 tetor, ndërsa për dallim nga viti i kaluar, ku moto e maratonës ishte “Run for the nature”, sivjet kjo maratonë vjen me moton “He for she”. Përveç promovimit të natyrës së malësisë së Gjakovës, kjo garë ka gjithashtu për qëllim vetëdijësimin e njerëzve kundër dhunës në baza gjinore si dhe promovimin sa më të madh të barazisë gjinore.
Mjetet financiare të mbetura nga kjo maratonë do të shkojnë për qendrat që strehojnë gra e fëmijë që kanë qenë viktima të dhunës në familje në Kosovë e në Shqipëri.
Kjo maratonë organizohet në 3 disciplina: 42 km maratonë e plotë, 21 km gjysëm-maratonë dhe 4x10km maratonë me stafeta.
Njëjtë sikur vitin e kaluar, maratona fillon në qendër të qytetit të Gjakovës dhe përfundon në qendër të qytetit të Bajram Currit, ndërsa gjysëm-maratona përfundon në Qafë Morinë.
Për më shumë detaje, vizitoni faqen e kësaj maratone në Facebook.