Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

AMERIKANI I PARË TE VËLLAZNIMI PËR 2025/26

Jacob Young, i huaji i parë te Vëllaznimi

Jacob Young, i huaji i parë te Vëllaznimi


4 July, 2025 @11:21

Basketbollisti amerikan i lindur në Houston të Texasit, Jacob Young, është lojtari më i ri i Vëllaznimit. Ai është përforcimi i parë i huaj i gjakovarëve për stinorin 2025/26, ndërsa luan në pozitën e fundorit.

Lojtari 187-centimetra i gjatë njihet për organizimin e mirë të lojës, ndërsa sa i përket statistikave të tij nga ekipi i fundit ku ka qenë, ai luajti te Windy City Bulls.

Aty, në 20 ndeshje mesatarisht kishte 15.9 minuta për lojë, duke shënuar 4.9 pikë për ndeshje, 2 asistime dhe 2.3 kërcime.

“I njohur për shpejtësinë eksplozive, vizionin në organizim dhe aftësinë për të krijuar lojë nën presion, Jacob sjell në Gjakovë eksperiencë nga vendi me basketbollin numër një në botë – dhe mbi të gjitha, mentalitetin amerikan të garës!” — shkroi KB Vëllaznimi në njoftim.

Para Windy City Bulls, Young ka qenë pjesë e Maine Celtics, Texas Legends dhe Memphis Hustle, të gjitha këto NBA G-League. Kjo do të jetë përvoja e parë tejoqeanike për amerikanin 27-vjeçar.

Deri tash, Vëllaznimi pos që ka vazhduar me Jeronimo Sarinin trajner, ka zyrtarizuar edhe disa lojtarë vendor në ekip, derisa ka vazhduar kontratën me kapitenin Atik Koshi dhe ka përforcuar radhët me Samir Zekiqin.

Përndryshe Vëllaznimi po kërkon ngritje të cilësisë së ekipit dhe ngritje në renditjen tabelare në fund të stinorit. Ekipi gjakovar qe dy stinorë radhazi përkundër mundit, nuk po arrin të kalojë në gjysmëfinale të playoffit duke u eliminuar në çerekfinale. Në stinorin e kaluar ata fituan trofeun e parë të pasluftës, duke fituar Ligën Unike.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga