ORGANIZATORI ME PËRVOJË

JaCori Payne, i huaji i parë i Trepçës 2025/26
7 July, 2025 @10:56
Me një përvojë të theksuar dhe atë jo në liga çfarëdo evropiane, por në liga të dyta të Francës dhe të Turqisë, që njihen për cilësi, JaCori Payne është përforcimi i parë i huaj i Trepçës për stinorin e ri të garave në basketboll.
Playmakeri amerikan që më 15 qershor mbushi të 29-tat, është zyrtarizuar si përforcim nga kampionja e Kosovës pas mesnate mbrëmë, me një paralajmërim interesant nga faqja e klubit.
Në tre stinorët e fundit, Payne 180-centimetra i gjatë ka luajtur për Nantes 2022/23, Kagitspor 2023/24 dhe Aix-Maurienne 2024/25. Mesatarja e pikëve të shënuara ppër ndeshje e tij në kampionat ka qenë gjithmonë dyshifrore në gjashtë stinorët e fundit, ndërka te Kagitspor ka luajtur me 20.6 pikë mesatarisht, e te Aix-Maurienne me 12.3 pikë për ndeshje.
Te këta të fundit ai ka pasur edhe 5 asistime mesatarisht për ndeshje, derisa ka regjistruar 1.3 kërcime për lojë, ndërsa mestaren për tre pikë e ka mbi 30% ku ka qenë i saktë në afro 35% të shutave të tij për tre pikë.
Trepça, që drejtohet nga Adis Beciragic do të merr pjesë në Ligë të Kampionëve të basketbollit prej shtatorit, ku tashmë ka të qartë rrugëtimin e vështirë për fazën grupore, ndërsa kundërshtari i parë është Heroes Den Bosch. Gjelbërezinjtë gjithashtu do të kërkojnë të mbrojnë titullin kampion dhe të gjitha trofetë e fituara në stinorin e kaluar në basketbollin vendor.
Ndryshe, për dallim nga stinori i kaluar nga forcat vendore mitrocivicasit kanë ndarë rrugët vetëm me Erjon Kastratin zyrtarisht. Për të tjerët, njoftimet për stinorin 2025/26 janë në pritje akoma.