FUTSALL
Kosova shkëlqen edhe ndaj Qipros, fitorja e dytë rresht
31 January, 2017 @18:58
Përfaqësuesja e Kosovës në futsall është një hap larg sigurimit të vendit të parë në grupin parakualifikues të Kampionatit Europian.
Ajo, pas fitores së djeshme historike ndaj Norvegjisë, arriti që ta gjunjëzojë sot edhe nikoqiren, Qipron, të cilën e mposhti me rezultat 1-3.
Skuadra e Qipros ishte ajo e cila kaloi e para në epërsi me golin e Costas Kouloumbris në minutën e dhjetë, ndërsa më pas të përzgjedhurit e Ramadan Cimilit u kundërpërgjigjën me tre gola për të arritur deri tek fitorja.
Së pari Nexhip Selimi e barazoi rezultatin, kurse më pas Fadil Goli dhe Malush Qerimi shënuan për epërsinë e dardanëve.
Me këtë fitore, Kosova tani ngjitet në krye të radhitjes tabelare të grupit E dhe është shumë pranë të kualifikohet nga ky grup.
Përfaqësuesja jonë nesër e zhvillon ndeshjen e fundit të grupit ndaj Danimarkës, me të cilën do t’i mjaftonte edhe barazimi për ta ruajtur kreun tabelar.
TABELA AKTUALE E GRUPIT
1 | Kosova | 2 ndeshje | 6 pikë | |
2 | Qipro | 2 ndeshje | 3 pikë | |
3 | Danimarka | 2 ndeshje | 3 pikë | |
4 | Norvegjia | 2 ndeshje | 0 pikë |