ERZURUM 2017
Lëndimi ia pamundëson Grenitës paraqitjen në snowboard
Teksti: KOK
16 February, 2017 @9:29
Përveç garave të sllallomit në konkurrencën e vajzave, sot Kosova në Erzurum ka qenë e paraparë që të përfaqësohet edhe në snowboard, disiplina SnowboardCross (individuale) nga Grenita Grazhda.
Megjithatë, fatkeqësisht, vetëm pak minuta para fillimit të garës, derisa po bënte nxemjet e fundit, garuesja jonë u lëndua dhe kjo ia pamundësoi asaj pjesëmarrjen në garë.
Grenita menjëherë pasi u lëndua, u vu nën përkujdesin e mjekëve, të cilët ia bënë të gjitha ekzaminimet dhe konstatuan se ajo kishte pësuar një çarje në dorën e majtë. Ajo iu nënshtrua tretmanit specialistik mjekësor dhe mëpastaj u kthye ne fshatin e sportistëve, duke u ribashkuar me pjesën tjetër të ekipit të ri olimpik kosovar.
“Grenita po ndjehet mirë dhe pritet që shumë shpejt t’u kthehet shtigjeve të snoubordit. Lëndimi nuk është i rëndë, por i mjaftueshëm per t’ia pamundësuar pjesëmarrjen në garë” tha mes tjerash trajneri i saj Renato Laçi.
KOK i dëshiron shërim sa më të shpejtë Grenitës dhe kthim të fuqishëm ne garat e ardhshme.