KOLUMNE: AUSTRALIAN OPEN

Mbretërit dhe mbretëreshat mbeten të përjetshëm
Shkruan: Blerim MYFTIU
27 January, 2017 @23:01
“MATADORI DHE XHENTËLMENI” NË KLASIKUN E RI
Rivaliteti që e ka shënuar një pjesë të madhe të rinisë sonë të hershme, Federer-Nadal dhe motrat Williams, do të inskenohet këtë fundjavë në Australian Open, Grand-Slamin e parë kalendarik, i cili zhvillohet tradicionalisht në Melbourne. Finalja e Wimbledonit e vitit 2008 ishte hera e fundit dhe e vetme që kjo katërshe që e dominoi tenisin botëror në dekadën e parë të këtij mijëvjeçari të paraqitej tok në finalet përkatëse.
E paharruar mbetet gjithsesi finalja e vetme Nadal-Federer në Aus Open më 2009 kur pas një dueli 5-setësh, spanjolli kishte arritur ta fitonte titullin e vetëm në Australi deri tani dhe e kishte detyruar zviceranin të derdhte edhe lot në ceremoninë përmbyllëse. Në dy-tre vitet e fundit, të dytë u ballafaquan me probleme shëndetësore që i bëri të largoheshin edhe nga top-pesëshja më e mirë. Federeri madje nuk luajti në 6 muajt e fundit të vitit të kaluar duke u rikuperuar nga operacioni i gjurit. Nadali po ashtu pati shumë luhatje dhe probleme me shputën dhe kyçin e dorës, arriti të ketë ngritje të kohëpaskohshme, por edhe rënie më drastike.
Kur në dy vitet e fundit vazhdimisht priteshin lajme të pensionimit të tyre dhe kur nuk shpresohej shumë se do të arrinin diçka domethënëse në karriera, mbretërit demantuan dhe treguan edhe një herë forcën ndaj më të rinjve. Para Nadalit, ndër të tjera ranë tanimë i etabluari Miloš Raonić dhe i konsideruari si “Federeri i ri”, Grigor Dimitrovi. Kurse, Federeri hoqi qafe goxha lëvozhga të forta, si Tomáš Berdych, Kei Nishikori, Stan Wawrinka dhe xhelatin e Andy Murrayt, Misha Zverevin.
Nadali udhëheq me 23-11 në ballafaqime të drejtpërdrejta kundër Federerit. 21 prej tyre kanë qenë në finale (14-7 për Nadalin) – 8 në Grand-Slam dhe 10 në Masters. Mëngjesi i së dielës do të na zgjojë me kërshërinë dhe nostalgjinë për t’i parë edhe një herë mjeshtrit në aksion.
FAMILJA E MADHE NË SKENË
Mbretëreshat e familjes Williams do ta mbajnë në familje një tjetër titull Grand-Slami. Motra e madhe, 36-vjeçja Venus, kishte luajtur për herë të fundit në finalen e Melbourneit më 2003, pikërisht kundër motrës së vogël, 35-vjeçes Serena. Venus ka 7 tituj Grand Slami (5 në Wimbledon dhe 2 në US Open), kurse Serena luan për titullin e 23-të rekord të Grand-Slam dhe për të shtatin në Australi. Këto janë dy motra dhe femra të cilat deri tash janë të vetmet që kanë luajtur 4 finale rresht në Grand-Slams dhe së bashku kanë 120 tituj. Motrat janë vënë përballë gjithsej 27 herë, udhëheq prapë e vogla me 16-11.
Duke i lexuar këto rreshta, me gjasë finalja e tyre e së shtunës së mëngjesit do të ketë përfunduar. Sido që të përfundojë, ato do të mbeten dy femrat që e kanë ndryshuar edhe ngjyrën e tenisit, i cili shpesh emërtohet si “sporti i bardhë”. E kanë futur jo vetëm racën e zezë në tenis, por i kanë sjellë edhe një mëlmesë të munguar këtij sporti. Do të mbeten gjithsesi familja më e madhe e tenisit.