TOKYO 2020 — XHUDO
Nora Gjakova në gjysmëfinale, një fitore larg finales
26 July, 2021 @9:02
Xhudisja Nora Gjakova ka mopshtur dy kundërshtarët e parë për të arritur gjysmëfinalen e Lojërave Olimpike në Tokio 2020.
Pejanja pasi që ka qenë bartëse dhe në rrethin e parë nuk ka pasur kundërshtar ka kaluar direkt në rrethin e dytë ku është ndeshur me holandezen Sanne Verhagen.
Kosovarja 28-vjeçe pasi që nxorri wazaari ndaj holandezes, kontrolloi duelin deri në fund për ta kaluar këtë fazë.
Pas kësaj, Norës i doli përballë sllovenja Kaja Kajzer. Këtu Nora nuk tregoi kompromis fare dhe pasi që kapi një ëazaari ndaj sllovenes, më pas përmes një mbërthimi maestral nxorri edhe ipponin për të përfunduar gjithçka.
Tash Nora është në zonë të medaljes, mirëpo edhe një fitore do ta siguronte atë 100%. Do të ketë punë të vështirë në gjysmëfinale ndaj japonezes Tsukasa Yoshida, për të arritur finalen, mirëpo forma e sotme e Norës jep shpresë.
Në rast të kalimit në finale, Nora do të ndeshet me fituesen e gjysmëfinales tjetër ku takohen kanadezja Jessica Klimkait dhe francezja Sarah Leonie Cysique.
Gjithçka nis pak pas orës 10:00.