KOK

REUTERS
Olimpistët kosovarë marrin bursat
4 March, 2015 @8:56
Nga sot, 15 sportistë olimpik të Kosovës do të mund t’ia nisin stërvitjeve për Rio 2016, mirëpo tash me frymë ndryshe.
Dëshira dhe vullneti tashmë mund të jetë i madh, por edhe përgjegjësitë dhe presioni shtohen në të njejtën mënyrë.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) i ka nënshkruar kontratat me sportistët kosovarë që do të pranojnë 15 bursat olimpike të miratuara nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON).
Bursat janë në vlerë të 500 dollarëve amerikanë, derisa 2/3 e këtyre parave i paguan KON-i ndërsa 1/3 Komuna prej nga vjen sportisti.
Përkundër se kontrata si bursist olimpik u nënshkrua dje, sportistët e poshtëshënuar do t’i marrin ato retroaktivisht nga janari 2015.
Olimpistët do të jenë të monitoruar çdo katër muaj lidhur me përparim në rezultatet e tyre, derisa në rast të mospërparimit, kontrata e tyre me KOK-un mund të ndërprehet, ka thënë kreu i KOK-ut, Besim Hasani dje gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontrateve me olimpistët.
Përveç tjerash, tash e tutje në Kosovë mund të zbarkojë doping kontrolli në lidhje me këta sportistë dhe kjo bëhet pa paralajmërim.
Për më tepër, olimpistëve u është sugjeruar që të ndjekin intensivisht kurset e gjuhës angleze ashtu që në rast të një paraqitjeje të mundshme olimpike, të prezentojnë sa më mirë vendin.
Olimpistët që nënshkruan bursat:
Lum Zhaveli (NOT) | Rita Zeqiri (NOT) | Erendita Gërguri (TAEKWANDO) | Qëndrim Guri (ÇIKLIZËM) |
Majlinda Kelmendi (XHUDO) | Nora Gjakova (XHUDO) | Akil Gjakova (XHUDO) | Leutrime Krasniqi (XHUDO) |
Urata Rama (SHENJËTARI) | Lumturie Rama (SHENJËTARI) | Musa Hajdari (ATLETIKË) | Vijona Kryeziu (ATLETIKË) |
Hazir Asllani (SHIGJETARI) | Armend Xhoxhaj (BOKS) | Kastriot Sedolli (MUNDJE) |