KAMPIONATI EKIPOR I KOSOVËS NË TENIS
Prizreni mposht Prishtinën dhe u shpall kampion!
11 October, 2013 @12:48
Prizrenasit kanë arritur të mposhtin kampionët aktual të Prishtinës në kampionatin ekipor të Kosovës në tenis për t’u shpallur kampion dhe për t’ua rrëmbyer titullin.
KT Prizreni ka mposhtur KT Prishtinën 3-2 në finale, që luhet në sistemin sikur Davis Cup.
Finalja u zhvillua në terrenet e tenisit të Prishtinës, ku adhuruesit e këtij sporti panë disa ndeshje interesante ndërmjet dy ekipeve më të mira të tenisit në Kosovë.
Në fillim pikën e parë për Prishtinën e solli Behar Kurteshi që e mposhti Durim Morinën nga Prizreni me rezultat 6:2, 6:4.
Pikën e parë për ekipin e Prizrenit e solli tenisti më i mirë në Kosovë, Gurash Hasani që me një lojë shumë të mirë që u karakterizua me shërbime të forta, triumfoi ndaj Granit Bajraliut me rezultat 7:5, 6:2.
Prishtina përsëri kaloi në avantazh në rezultatin përfundimtar, pasi prishtinasi me eksperiencë Arben Islami me lehtësi triumfoi ndaj tenistit 14 vjeçar prizrenas Meldin Mustafi 6:0, 6:2.
Rezultatin në 2-2 e barazoi prizrenasi Burim Bytyqi që triumfoi ndaj Besart Halimit. Seti i parë ishte mjaft dramatik dhe përfundoi në tie-break 7:6. Setin e dytë Bytyqi e mori me lehtësi 6:1.
Fati i tërë kampionatit ekipor u vendos në lojën e çifteve ku dyshja nga Prizreni, Gurash Hasani dhe Burim Bytyqi ishin më të mirë se dyshja nga Prishtina, Granit Bajraliu dhe Arben Islami me rezultat 7:5, 6:2.
Prizreni me ketë fitore u shpall kampion ekipor i Kosovës në tenis për vitin 2013. Ky kampionat zhvillohet në sistem të Kupës së Davisit ku zhvillohen 4 takime individuale dhe një takim i çifteve.
Ky është kampionati i pestë ekipor i Kosovës në tenis. Nga 2 herë kampionë janë shpallur Prizreni dhe Prishtina. Finalja e vitit 2011 nuk është zhvilluar.
Sekretari dhe Kryetari i Federatës së tenisit të Kosovës në fund ndane kupën, medaljet dhe një shpërblim në të holla para për ekipet finaliste.
REZULTATET INDIVIDUALE DHE NË ÇIFTE TË FINALES:
1 | Behar Kurteshi (PR) - Durim Morina (PZ) | 6-2, 6-4; | Prishtina-Prizreni 1-0 | |
2 | Granit Bajraliu (PR) - Gurash Hasani (PZ) | 5-7, 2-6; | Prishtina-Prizreni 1-1 | |
3 | Arben Islami (PR) - Meldin Mustafi (PZ) | 6-0, 6-2; | Prishtina-Prizreni 2-1 | |
4 | Besart Halimi (PR) - Burim Bytyqi (PZ) | 6-7, 1-6; | Prishtina-Prizreni 2-2 | |
5 | Bajraliu-Islami (PR) - Bytyqi-Hashani (PZ) | 5-7, 2-6; | Prishtina-Prizreni 2-3 |