TENNIS STORY
Revolucion tenisi në Challenger Tour
4 August, 2018 @9:10
Dyshimet për manipulime me baste të ndeshjeve të rangut të ultë të garave, më saktë të nivelit të dytë – Challenger Tour, kanë shtyrë ATP-në të reformojë Challenger Tour.
Qëllimi kryesor i këtyre reformave që në fakt janë aq të mëdha sa mund t’i quajmë edhe revolucion, është përmirësimi i kushteve të tenistëve, ulja e numrit të profesionistëve, dhe rrjedhimisht edhe largimi i mashtrimeve dhe manipulimeve të ndeshjeve.
Ndryshim i parë në serinë e turneve Challenger është ngritja e numrit të pjesëmarrësve nga 32 në 48 veta. Rrjedhimisht kjo do të përkthehet në 2400 vende më shumë gjatë vitit në shortin kryesor të kësaj serive të turneve, duke shtuar edhe 1 milion dollarë në shpërblime, me turneun më të pasur në 162,480 dollarë në vitin 2019.
Gjithashtu, organizatorët e turneve Challenger do të sigurojnë akomodimin për të gjithë lojtarët që kualifikohen në shortin kryesor, që është një lehtësim tjetër për pjesëmarrësit në turne. Më kryesorja është standardizimi i orarit të garave, pasi që tani e tutje, të gjitha rundet, nga kualifikimet deri tek finalja do të zhvillohen brenda një jave të vetme, nga e hëna deri të dielën. Më parë, kualifikimet janë zhvilluar në vikendin paraprak, me finalen në vikendin tjetër, pra kanë zgjatur 8-10 ditë në total.
Qëllimi kryesor është zvogëlimi i numrit të tenistëve profesionist nga 14 mijë në 750 meshkuj e 750 femra. Kjo pritet të ndodh deri në vitin 2020 kur ATP s’do të ofrojë më pikë për turnet e serisë Futures Tour.