SHGSK
SHGSK-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me FEFS-në dhe AGK-në
Teksti: SHGSK
24 October, 2016 @18:26
Një ndër projektet më të rëndësishme të Shoqatës së Gazetarëve Sportiv të Kosovës (SHGSK) është zgjerimi i bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës, përkatësisht me Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sporit (FEFS). Hap i madh në këtë drejtim është bërë të hënën, në ambientet e FEFS-së, ku dekani i këtij fakulteti, Musa Selimi dhe kryetari i SHGSK-së, Arlind Grantolli nënshkruan memorandum bashkëpunimi. Selimi deklaroi që kjo marrëveshje do t’i lëviz gjërat përpara dhe do të shërbej si ndihmë për kalimin e problemeve me të cilat ballafaqohet Fakulteti që ai drejton.
“Besoj fuqishëm që gazetarët sportiv do ta senzibilizojnë çështjen e problemeve me të cilat ballafaqohen studentët tanë që janë në mungesë të infrastrukturës dhe shpresoj që do të japin kontribut të çmueshëm që ky problem madhor për organizmin e kësaj njësie akademike të Universitetit të Prishtinës të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Përmbledhja e pikave të cilat i kemi në marrëveshje shpresojmë që do të realizohen në përpikëri. Tash e tutje do të jetë një bashkëpunim shumë i ngushtë,” deklaroi Selimi.
Bashkëpunimin me FEFS-në, kryetari i SHGSK-së, Arlind Grantolli e cilësoi si e mirë e përgjithshme e gjithë shoqërisë.
“Para se gjithash kjo i kontribuon komunitetit arsimor dhe gazetaresk, por edhe gjithë shoqërisë në përgjithësi. Shoqata e Gazetarëve Sportiv të Kosovës do të jetë gjithmonë përkrah Universitetit sa herë që ajo është e nevojshme dhe pres të kemi bashkëpunim shumë të mirë sidomos në lëminë e sporteve të cilat janë më pak të mbuluara në vendin tonë. Nga sot bashkëpunimi do të jetë shumë më i madh me Fakultetin e Edukatës Fizike dhe Sportit.”
Studentët e FEFS-së, në muajin nëntor pritet të garojnë në Universiadën Ballkanike në Kroaci. Dekani Musa Selimi, deklaroi që kjo ngjarje duhet të mbulohet nga mediat.
“Në fazën e parë presim që të realizohet një kërkesë e jona që të marrim pjesë në Universiadën Ballkanike që do të mbahet muajin e ardhshëm në Kroaci dhe unë premtoj publikisht që një anëtar i SHGSK-së do të vijë të përcjellë dy disiplina, basketboll dhe volejboll. Ky është një hap i vogël por duke filluar nga hapat e vegjël mendoj që duhet të bëjmë punë të mëdha dhe bashkëpunimi duhet të jetë i sinqertë. Ne kemi nevojë shumë të madhe që mediat t’i përcjellin aktivitetet tona dhe garat në të cilat do të marrim pjesë,” deklaroi në fund Selimi.
Prezent në këtë ngjarje ishin edhe studentët e vitit të parë të FEFS-së, të cilët shprehën interesim të madh që në të ardhmen e afërt të përfitojnë nga ky bashkëpunim.
Bashkëpunim edhe me AGK-në
Përveç kësaj, SHGSK sot ka arritur bashkëpunim edhe me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Kryetarët e këtyre dy organizatave, Shkëlqim Hysenaj dhe Arlind Grantolli kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në mënyrë që të ngritet kapaciteti i tyre.
“Normalisht që të vetëm është problem me arritë këtë qëllim, mirëpo me ndihmën e SHGSK-së do të angazhohemi që të promovojmë edhe më shumë të drejtat e gazetarëve në Kosovë. Jemi dëshmitarë që shumica prej nesh përballemi me probleme të ndryshme duke filluar me problemet që kemi në vendet ku punojmë, mirëpo edhe me institucionet si dhe mekanizmat tjerë që kanë interes për të na penguar në punën tonë të përbashkët të raportimit,” deklaroi Hysenaj pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Sipas tij hapi i parë do të jetë anëtarësimi i SHGSK-së në Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve, sepse çdo shtet ka të drejtë që në këtë institucion të përfaqësohet me dy organizata.
Ndërsa kryetari i SHGSK-së, Arlind Grantolli u fokusua te një pikë e rëndësishme e marrëveshjes, e cila sqaron që gazetarët më të mirë sportiv do të zgjidhen nga SHGSK-ja.
“Ka shumë hapësirë për bashkëpunim ku përfshihet gazetaria sportive dhe gazetaria në tërësi e Kosovës. Ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshjeje është se SHGSK-ja do të bëjë zgjedhjen e gazetarit sportiv të vitit dhe në këtë mënyrë e liron AGK-në, duke marrë përsipër këtë kompetencë për të nderuar më të mirët në këtë lëmi. Ka edhe pika të tjera të rëndësishme si ngritjen e kapaciteteve, mbrojtjen e gazetarëve në anën ligjore etj. Ky është hapi i parë dhe besoj fuqishëm se me nisma të tilla do t’i bëjmë nder gazetarisë në Kosovë, por edhe funksionimit të këtij sektori si një nga shtyllat kryesore në formimin e shtetit demokratik,” deklaroi Grantolli.