WIMBLEDON

Foto: Wimbledon Official
Sot, gjysmëfinalet e femrave
7 July, 2016 @12:54
Pas çerekfinaleve në kategorinë e meshkujve që u zhvilluan dje, sot Wimbledoni vazhdon me gjysmëfinalet në kategorinë e femrave.
Gjysmëfinalja e parë fillon në ora 14:00, ndeshje në të cilën teniserja më e mirë në botë, Serena Williams, luan ndaj teniseres ruse, Elena Vesnina. Serena Williams, 6 herë fituese e Wimbledonit, është favorite absolute në këtë takim. Kundërshtarja Vesnina momentalisht është teniserja e 50 në ranglistën botërore, ndërsa gjatë karrierës asnjëherë nuk e ka prekur finalen në Grand Slams.
Në gjysmëfinalen e dytë, e cila fillon në ora 15:30, Venus Williams, motra e madhe e Serenas, luan ndaj gjermanes Angelique Kerber, tenisere e cila ka ngritje të vazhdueshme në karrierë. Kerber pak muaj më parë mposhti Serena Williamsin në finalen e ‘Australian Open’, ndërsa në këtë takim ndaj Venus Williams cilësohet favorite. Venus Williams, Wimbledonin e fundit e ka fituar para 8 viteve, para se të diagnostifikohej me sindromin e njohur si “Sogren” (sindrom që shkakton probleme kronike dhe lodhje të tepërta të muskujve), i cili ndikoi në largimin e saj nga tenisi në vitin 2009, mirëpo Venus u rikthye përsëri, përkundër faktit që mjekët kishin parashikuar se ajo nuk do të mund të luante përsëri.
Mediat amerikane kërkojnë një finale “All-Williams”, mirëpo se a do të ‘lejohet’ kjo nga Kerber e Vesnina, mbetet të shihet sot.