KOMITETI OLIMPIK I KOSOVËS
Sportistët kosovarë nisen për në Erzurum
Teksti: KOK
11 February, 2017 @12:49
Delegacioni i Kosovës, në përbërje të pesë sportistëve, është nisur për në Erzurum të Turqisë, ku do të marrë pjesë në edicionin e 13-të të Festivalit Olimpik Dimëror Evropian për të rinjë, nga 12-17 shkurt.
Katër skitarë në disciplinat alpike dhe një snouborder do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë ngjarje sportive për të rinj.
Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në një Festival Dimëror si ky.
Lista e delegacionit të Kosovës në Erzurum:
Jeton Rudari, shef i misionit
Muhamet Dresha, zyrtar
Kushtrim Deva, trajner i skijimit alpik
Ernest Sefaj, trajner i skijimit alpik
Renato Laçi, trajner snowboard
Adea Haxhidauti, skijim alpik, Lyra Hoxha, skijim alpik, Arbi Pupovci, skijim alpik, Vernor Gjurkaj, skijim alpik dhe Grenita Grazhda, snowboard.
Besim Hasani, Kryetar i KOK: “Kosova është krenare që mund të marrë pjesë me pesë sportistë dhe kjo ngjarje do të shërbejë për të fituar përvojë për PjongChang 2018 (Lojërat Olimpike Dinmërore). Deri atëherë, këta sportistë do të kenë mundesi që të përgatiten për këto lojëra. Pritjet tona janë reale. Nuk presim medalje, por këta sportistë të paraqiten sa më mirë.”
Emin Dushullovci, Sekretar i Federatës së skijimit: “Kemi ushtruar në tri etapa në tri qendra të ndryshme të skijimit, si në Bogë, Arxhenë dhe në Brezovicë. Pres sukses nga garuesit. Jam i bindur që do të kemi sukses.”
Kushtrim Deva, trajner: “Në tri kampe stërvitore, kemi dhënë maksimumin. Nuk duhet të presim diçka shumë. Fëmijët do ta japin maksimumin e tyre.”
Vernor Gjurkaj, skitar: “Kemi pasur trajnim të mirë. Jemi të gatshëm për gara. Do ta japim maksimumin.”
Gjatë muajit korrik të këtij viti, Kosova do të marrë pjesë edhe në Festivalin Olimpik Veror Evropian për të rinj në Gjyr (Gyòr) të Hungarisë.