GJYSMËFINALJA 1: TREPÇA - PRISHTINA

Fotot: FBK
Trepça fiton duelin e parë, merr epërsinë në seri
19 April, 2025 @20:51
Fitore për KB Trepçën në ndeshjen e parë të serisë gjysmëfinale ndaj Prishtinës.
Në “Minatori”, Trepça sonte triumfoi me rezultat 80-65.
Ndeshja e dytë e serisë luhet më 23 prill në Prishtinë, ndërsa në finale shkon skuadra që arrin tri fitore në seri.
Pas fillimit të barabartë të lojës, 18-17 çereku i parë, në të dytin dhe të tretin çerek Trepça ndërroi shpejtësinë në lojë dhe bëri dallimin. Duke shtuar epërsinë ata çerekun e fundit e pritën rehat dhe në fund triumfuan me 15 pikë dallim, 80-65.
Dominimi i Trepçës u vërejt në lojë, ndërsa Prishtina nuk kishte fuqi të rikthehet sonte. Tekkele Cotton me 21 pikë, 6 asistime e 5 kërcime ishte më efikasi te Trepça, ndërsa 19 pikë i dha Michael Myers, që bëri edhe nga 5, asistime e kërcime. Drilon Hajrizi kreu lojën me 17 pikë, duke shutuar 3/5 për tre pikë.
Donte Clark dhe Jordan Davis dhanë pikë dyshifrore te Prishtina, ku te ekipi bardhekaltër shuti për tre pikë nuk eci fare. Saktësia në total ishte 19%, ndërsa nga 21 tentime, ata shënuan vetëm 4 - në mënyrë ekipore.
Clark kreu lojën me 19 pikë, ndërkaq Davis me 15. Davis shutoi 0/5 për tre pikë.
Fitorja bën që Trepça të merr epërsinë në serinë gjysmëfinale ndaj Prishtinës. Ndeshja e dytë e serisë zhvillohet në Prishtinë. Trepça me sonte, udhëheq serinë 1-0, ndërsa ekipi që arrin së pari tre fitore siguron finalen e playoffit.