KAMPIONJA I RIKTHEHET FITORES
Trepça këndellet në “Minatori”
11 January, 2025 @18:30
Pas një çereku të parë fantastik, 29-7, për kampionen dhe lideren aktuale të Superligës, Trepça, nuk ka pasur probleme për të çuar ndeshjen deri në fund pa hasur asnjëherë në rrezikim të rezultatit e aq më pak fitores.
Trepça nisi vitin me humbje në derbi ndaj Bashkimit në “Sezai Surroi” në kuadër të xhiros XV të stinorit, por me fitoren e sotme tregoi se ajo disfatë ishte momentale dhe ekipi nuk ka rënie forme ose diçka të tillë.
Mitrovicasit e drejtuar nga Adis Beciragic kanë mposhtur Yllin në ndeshjen e parë të luajtur për këtë vit në “Minatori” duke fituar duelin ndaj suharekasve, të cilët janë nënkampionë aktual me rezultat 91-68.
Në çerekët tjerë, rezultati ka qenë i ngushtë derisa Ylli i drejtuar nga Endrit Elshani nuk ka pasur fuqi të bëj më shumë pas periudhës së parë katastrofale, ku hynë në disanvatazh prej 22 pikëve!
Malik Johsnon ka shkëlqyer sonte për Trepçën. Organizatori amerikan shënoi 23 pikë, bëri 8 asistime dhe 7 kërcime për fitoren e ekipit të tij. Me 16 pikë luajti standard Drilon Hajrizi, që shtoi edhe 2 asistime e 6 kërcime në llogari të tij, ndërsa 15 pikë e 8 kërcime në fund të lojës figuruan për Samuel Hunterin.
Jan Palokaj që nuk nisi mirë ndeshjen, e kreu atë me më së shumti pikë të shënuara në ekipin e tij. Ai luajti me 17 pikë, 3 asistime e 4 kërcime, kurse për të dytën ndeshje prej se u rikthye në ekip u bë koshashënuesi më i mirë i ekipit.
Trembëdhjetë pikë i dha Artin Gashi me përvojë, që javë më parë i dha fund zyrtarisht beqarisë, ndërsa shënoi 13 pikë e 3 kërcime. Dhjetë pikë i dha Malcolm Armstead që ishte më së gjati në fushë të lojës për Yllin (36:42), ndërsa bëri edhe 5 asistime e 3 kërcime.
Me këtë fitore Trepça bëhet me bilanc 12-5 dhe me 28 pikë ruan vendin e parë edhe për një xhiro tjetër të Superligës, ndërsa Ylli tashmë thellon bilancin negativ në 7-9 pas humbjes së tretë me radhë të regjistruar dhe të dytës këtë vit! Për suharekasit 2025-ta vazhdon të shkojë pa fitore akoma.