BASHKIMI IA BËN 2-1 TREPÇËS
Bashkimi fitoi derbin, merr epërsi ndaj Trepçës
8 January, 2025 @22:52
Momentet e fundit ishin dramatike, por Bashkimi mbijetoi duke shënuar fitore ndaj lideres dhe kampiones aktuale të Superligës, Trepça. Portokallezinjtë treguan karakter në fund, ndërsa pjesa e parë e ndeshjes u tregua vendimtare në rezultatin përfundimtar të ndeshjes, 76-72, veçanërisht çereku i dytë, 21-11.
Transferi i ri në ekip, Wendell Green dha 20 pikë, bëri 2 asistime dhe 3 kërcime në fitore, kurse pikë të njëjta dha edhe Mack Smith, që shtoi në llogari të tij 4 asistime e 5 kërcime! Eric Copes, të cilit iu vonua për një orë aeroplani të hënën vonë nga Stambolli për Prishtinë, u rikthye në ekip me debutim për këtë stinor te Bashkimi me 4 pikë, 1 asistim e 5 kërcime.
Drilon Hajrizi ka qenë më i dalluari i Trepçës. Ylli i basketbollit kosovar shënoi 21 pikë, 4 asistime e 3 kërcime në këtë ndeshje, ndërsa nga 13 pikë dhanë Samuel Hunter e Mikaile Tmusic. Transferi i ri në ekip, Michael Myers debutoi me 1 pikë të shënuar e 2 kërcime, për 5 minuta të kaluara në lojë.
Fitorja, bën që Bashkimi t’i afrohet Trepçës në krye të tabelës, derisa prizrenasit që sonte u drejtuan nga Bledar Gjeçaj pas ndarjes me Darko Radulovicin, kanë shënuar fitoren e dhjetë sezonale për të bërë bilancin 10-5 në pozitë të dytë. Trepça mbetet lidere, duke pësuar humbjen e katërt sezonale, prej të cilave janë dy prej Bashkimit, 11-4!