FITORE E MADHE E GJAKOVARËVE
Vëllaznimi i shënon përsëri 100 pikë Prishtinës dhe fiton
29 December, 2024 @18:52
Vëllaznimi ka shënuar fitore ndaj Prishtinës në përballjen e xhiros së XIV të Superligës, ndërsa me fitoren e sontme 100-87 gjakovarët kanë bërë bilancin direkt ndaj kryeqytetasve 2-0 këtë stinor në Superligë.
Gjakovarët ishin dominues që nga fillimi i ndeshjes, duke pasur kontrollë të rezultatit pothuajse gjatë gjithë kohës. Në një moment të caktuar, epërsia gjakovare shkoi në 30 pikë, e në fund ra paksa, për t’u mbyllur ndeshja me dallim 13-pikësh.
Jericole Hellems dhe Jason Jitoboh shënuan nga 20 pikë për Vëllaznimin, Myreon Jones shtoi 16, ndërkohë Don Polloshka gjithashtu shkëlqeu me double-double prej 12 pikëve e 10 asistimeve.
Te mysafirët nga kryeqyteti dukshëm më i miri në këtë duel ishte Ricky Tarrant me 29 pikë.
Pas 14 dueleve të para, Vëllaznimi e sheh veten në vendin e katërt, kurse Prishtina ndodhet dy pozita më poshtë.