VAZHDON FORMA E MIRË E GJAKOVARËVE
E katërta me radhë, Vëllaznimi mposhti edhe Pejën
9 January, 2025 @23:14
Forma e mirë e kapur nga ekipi i Vëllaznimit ka vazhduar edhe të enjten mbrëma në “Shani Nushi” derisa ekipi i drejtuar nga Jeronimo Sarin nuk i dha mundësi për shpresë Pejës për të arritur te fitorja.
Me lojë të sigurt nga fillimi i ndeshjes, kuqezinjtë nuk lejuan mysafirëve që të afrohen për t’ua rrezikuar fitoren, ndërsa marshuan drejt fitores së katërt kampionale me radhë, pas atyre ndaj Borës, Yllit e Prishtinës.
Vëllaznimi fitoi ndeshjen 83-69, ndërsa Jericole Hellems me 21 pikë ka qenë më efikasi në ekip. Me 17 pikë e 7 kërcime u dallua Trey Anderson, derisa Jason Jitoboh dha 13 pikë e bëri 6 kërcime në fitore. Atik Koshi luajti me 15 pikë, me snajperin në formë këtë natë, ku shënoi 4 nga 5 tentimet e tij për tre pikë.
Peja e Sebastjan Krasovecit nuk pati zgjidhje për lojën e gjakovarëve. Ekipi u pajtua me humbjen e shtatë kampionale, ndërsa Tristan Ikpe me 14 dhe Jonathan Galloway me 10 pikë ishin më të dalluarit sa i përket pikëve të shënuara në ndeshje.
Vëllaznimi me këtë fitore bën bilancin 8-7, njëjtë si Peja, ndërsa ka marrë epërsinë në duele direkte 2-1, duke fituar të dyja ndeshjet kampionale të këtij stinori në “Shani Nushi”. Në renditjen tabelare, momentalisht Peja është e treta e Vëllaznimi i katërti me bilanc të njëjtë.