VITI I RI FILLON ME FITORE!
Pas 5 humbjeve radhazi, Prishtina i kthehet fitores!
9 January, 2025 @23:28
Me përfundimin e dhjetorit katastrofal, mbaruan edhe humbjet për Prishtinën! Rekord-kampionia e Kosovës iu kthye fitores të enjten mbrëma, duke shënuar fitore ndaj Prizrenit në “Sezai Surroi”, në një ndeshje që solli luftë të madhe në fushë të lojës, e fitore për bardhekaltërit falë lojës më të qëndrueshme në çerek të fundit, për rezultatin final, 85-101.
Si ekip i renovuar në afatin kalimtar të janarit, Prishtina bëri dallimin me të ardhurit e ri në ekip, ku Josh Nzeakor luajti me 19 pikë e 7 kërcime, Corey Reeves dha 18 pikë e 7 kërcime, ndërsa Rašid Mahalbašić luajti me 15 pikë, 4 asistime e 5 kërcime në fitore. Pikë dyshifrore dhanë edhe Donte Clark, Ricky Tarrant dhe Fatlind Shoshaj, 13 përkatësisht nga 12. Ajo që u pa në ndeshje ishte se Murat Bilge tash ka cilësi tjetër në ekip, ndërsa basketbollistët aktual janë shënues dhe nëse u vjen rasti nuk gabojnë kur shutojnë. Përveç Nzeakorit, të gjithë të tjerët erdhën në afatin kalimtar të janarit nga të përmendurit e lojës.
Gjë që nuk mund të thuhet për Prizrenin që tashmë mbetet i fundit në renditje dhe përkundër përforcimeve dimërore i duhet punë e komponim për të luftuar për dalje nga pozita e fundit e tabelës! Lenzelle Smith Jr dhe Kwame Vaughn nuk mjaftuan për të rrezikuar Prishtinën. Smith kreu lojën me 24 pikë, ndërsa Vaughn dha 20! Ky i fundit bëri edhe 6 asistime. Jordan Johnson dha 16 pikë e bëri 4 asistime, ndërsa të tjerët nuk arritën të tregohen më shumë.
Prishtina bëhet me bilanc 7-8 pas 15 xhirove dhe është e pesta në renditje. Prizreni i teti, i fundit, është në 4-11. Pjesa e dytë e stinorit po tregon që secili ekip mund ta mposhtë secilin këtë stinor dhe askush nuk e ka të sigurt mbijetesën në Superligë.