DITARI NR.9 @ RIO 2016

Foto: Getty Images
Vijona!
Shkruan: Luan MORINA
13 August, 2016 @14:37
Vijona Kryeziu do të dalë në shteg sot në ora 16. Ajo është në grupin e katërt të kualifikimeve në 400m me emra superiorë të kësaj discipline si Natasha Hastings e Christine Ohuruogu. Gjasat për gjysmëfinale janë jo të mëdha.
Një orë më herët, në grupin e dytë në kualifikimet 3000m me pengesa, Luiza Gega përfaqëson Shqipërinë me gjasa të mira për finale.
Dje, Musa Hajdari përfundoi rrethin e parë në 800m me kohë 1:48.41 duke u renditur i 34ti nga 58 vrapues. Vetëm 24 veta u kualifikuan për gjysmëfinale.
Ndërkohë, Izmir Smajlaj në kërcim së largu përfundoi i 21ti me 7.72m, duke mbetur 9 vende dhe 13 centimetra larg finales.
Sot mbarojnë garat në not ku janë katër nga 21 finalet e ditës. Finale ka edhe në peshëngritje, tenis – Monica Puig dhe Angelique Kerber, shenjëtari, e skermë. Mbarojnë garat edhe në trampolinë dhe lundrim. Ndërkohë atletika vazhdon me pesë finale, e çiklizmi në palestër me dy finale.
Mbrëmë në ndjekjen ekipore të meshkujve në këtë sport, Britania e Madhe bëri histori duke shkrirë epërsinë e Australisë në dy rrathët e fundit për të artën e pestë të Bradley Wiggins. Edhe femrat e Kinës shënuan rekorde para finales me Rusinë, të cilën e fituan pas të argjendtës në Londër.
Në finalen e shfaqjes ekipore, Gjermania fitoi të artën në sportin me kuaj para Britanisë së Madhe.
Në çdo Olimpiadë, SHBA-të ose kanë fituar të artën ose të argjendtën në futboll të femrave. Kampionet botërore u eliminuan mbrëmë në penallti nga Suedia. Në penallti fitoi edhe Brazili që mposhti Australinë që ka befasuar në këtë ngjarje. Gjermania e Kanadaja ishin më të mira se Kina e Franca.
Në hendboll malazezët kurorëzuan debaklin në këto lojëra, ndërkohë Dream Team amerikan mposhti Serbinë në basketboll. Del Potro, Nadal, Nishikori, e Murray do të ndajnë medaljet në tenis, derisa Kvitova e Keys do të luftojnë për të bronztën sot. Nadal fitoi të artën në dyshe të meshkujve me Lopez, derisa Hingis pret ta bën të njëjtën me Basczynskin sot.
Në garat ekipore sot, në hendboll Sllovenia pret Gjermaninë (14:30), Kroacia ndeshet me Francën dy orë më vonë, Danimarka me Katarin dikur para orës 20:00, dhe pak para orës 1, Suedia me Poloninë, për të përcaktuar çerekfinalistët. Në volejboll spikat ndeshja ndërmjet Polonisë dhe Rusisë në ora 20:00, dhe ajo ndërmjet Brazilit dhe Italisë në ora 3:35.
Derbi jug-amerikan në basketboll ndërmjet Argjentinës e Brazilit nis në ora 19:15, derisa Spanja me Lituaninë ndeshen në mesnatë. Sot zhvillohen edhe çerekfinalet e futbollit tek meshkujt me Portugalinë e Gjermaninë në ora 18:00, dhe Brazilin e Kolumbinë në ora 3:00.