US OPEN

Foto: BBC
Wawrinka shkollon Djokovicin
12 September, 2016 @2:18
Edhe pse ishte në disavantazh pas setit të parë, Stan Wawrinka u rikthye fuqishëm në lojë dhe arriti t’i fitojë 3 sete radhazi, për ta mposhtur serbin Novak Djokovic dhe për t’u shpallur kampion i US Open. dhe për ta fituar shpërblimin pasues prej 3.5 milionë dollarëve.
Forma e mirë e Stan u pa që nga fillimi, me kampionin në fuqi që setin e parë e fitoi me vështirësi 7-6, ndërsa që nga seti i dytë, gjithçka kaloi në anën e zvicranit, i cili me armën e tij më të fortë, ‘backhand-in’, e detyroi kundërshtarin që të bënte gabime të njëpasnjëshme.
Vlen të përmendet që deri në arritjen e finales, Wawrinka kishte luajtur dyfish më shumë minuta sesa Djokovic, i cili raundin e dytë e kaloi pa lojë pas suspendimit të Veselyt, ndërsa dy takime i mbylli shumë herët, me kundërshtarët që u detyruan ta mbyllnin takimin për shkak të lëndimeve, mirëpo as kjo nuk i ndihmoi atij sonte ndaj Wawrinkas fenomenal. Madje as hyrjet e shpeshta në fushë të fizeoterapeutit nuk i ndihmuan Djokovicit sonte, edhe pse ato kryesisht ishin në setin e fundit, set në të cilin ‘Nole’ veçse e kishte kuptuar se do ishte i mposhtur.
Për më tepër, gjatë komentimit në Eurosport, legjenda e tenisit dhe reporteri Pat Cash, tha: “Djokovic merr një time-out për masazh të gishtave të këmbës.”, duke ironizuar me ‘lëndimin’ e Noles në setin e fundit.
Këtë vit, deri në muajin maj, Djokovic kishte fituar ‘Australian Open’ dhe ‘Roland Garros’, ndërsa pas tyre, ai dështoi në ‘Wimbledon’, ‘Rio 2016’ dhe tashmë në ‘US Open’, duke bërë që ‘ëndrra’ e tij për ‘Golden Grand Slam’ (triumfi në të gjithë turnetë) të mos bëhet realitet.
Në anën tjetër, shihet gjithmonë që zvicrani Wawrinka përmirësohet gjithnjë e më tepër në fazat më kryesore të turneve. Këtë turne ai ishte pranë eliminimit nga Daniel Evans, mirëpo u rikthye dhe sonte e gjeti veten në finale, me përmirësimin e tij që shtohej gjithnjë e më tepër. Gjithashtu, në vitin 2014, Stan e kishte mposhtur Rafael Nadalin në finalen e ‘Australian Open’, ndërsa në vitin 2015 e kishte mposhtur pikërisht Novak Djokovicin në finalen e ‘Roland Garros’ (të dy atë kohë ishin teniserët numër 1 në botë). Pra, rekordi i Stan Wawrinkas në finalet e Grand Slam-eve është 100% (3/3).
Gjithsesi, edhe përkundër humbjes, në ranglistën botërore Nole mbetet i pari, ndërsa Stan Wawrinka mbetet i treti pas britanikut Andy Murray, i cili mban vendin e dytë.